AlbanianSport.com 17.02.2015 09:35
ASNN – Vetëm tre pikë larg Lushnjës kryesuese, sarandjotët mendojnë ngjitjen në elitën e futbolli. Trajneri: “Kemi një grup prej 20 lojtarësh, të cilët janë të gjithë të gatshëm të luajnë titullar”. Saranda është destinacioni kryesor për turizmin në Shqipëri, por nga sezoni i ardhshëm qyteti jugor mund të jetë një kryeqendër edhe për futbollin shqiptar.
Kategoria Superiore është ëndrra e madhe e qytetit të vogël, që mund të bëhet realitet falë paraqitjeve të Butrintit, i cili aktualisht gjendet në vendin e tretë në grupin e Jugut me vetëm 3 pikë diferencë nga Lushnja e vendit të parë me të cilën këtë fundjavë do të ketë një përballje direkte.
Për trajnerin gjirokastrit të sarandjotëve, Mustafa Hysi, arritja në elitën e futbollit shqiptar është objektivi kryesor për të cilin klubi ka punuar shumë këto dy vitet e fundit. “Ekzistojnë mundësitë për të hyrë në elitën e futbollit dhe kjo falë punës dyvjeçare që ne kemi pasur në bashkëpunim me klubin dhe futbollistët, – ka deklaruar ai, duke folur për paketën e transmetimeve sportive me pagesë, “SuperSport”. –
“Butrinti ka 20 futbollistë që të gjithë janë në gjendje për të luajtur titullarë, – ka vijuar ai. – Kjo na bën të mundur dhe shpresojmë e urojmë që ky Butrint të ngjitet, pavarësisht rivalëve të shumtë në grupin B. Unë jam gjithmonë “partizan” i ekipit në mbrojtje, por dhe i ekipit në sulm.”
“Çfarë kemi arritur është rezultat i një loje shumë të mirë të ekipit në mbrojtje, rezultat i kryerjes së detyrave taktike, si brenda, ashtu dhe jashtë fushe. Pra sekreti ynë është loja në grup, mbrojmë e sulmojmë të gjithë së bashku”, – ka përfunduar trajneri i Butrintit, Mustafa Hysi, duke folur për “SuperSport”.