AlbanianSport.com 28.09.2014 15:25
ASNN – Lezhjanët e kanë nisur me fitore Kategorinë e Parë, ndërsa matjanët u dorëzuan në fund. Shikuesit e shumtë kanë festuar së bashku me skuadrën e Bardhit trepikëshin e parë. Një entuziazëm i madh ka pushtuar dje stadiumin “Besëlidhja” të Lezhës, ndërsa është dashur fillimi i Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që tifozët lezhjanë të ishin të shumtë.
Ka qenë përballë njëra-tjetrës dy ekipet më të mira të grupit të Veriut, ndërsa nga drejtuesit e klubit lezhjan ishin marrë të gjitha masat për një mbarëvajtje normale të ndeshjes. Trajnerët Bardhi e Gjoni kanë hedhur në fushë formacionet e tyre më të mira dhe në fund janë vendësit që kanë marrë trepikëshin. Që në të 5-n minutë, Xhorxheviç mund ta kishte kaluar në epërsi Besëlidhjen, por Xhixha ka pritur.
Në minutën e 13-të, Malo, i cili i ka pasur të gjitha mundësitë për të shënuar, është nxituar në gjuajtje. Vetëm në të 16-n minutë, Rapo u ka kujtuarve të gjithëve se Burreli është në fushë, por vetëm goditje këndi. Deri në fundin e pjesës së parë Xhorxheviç e Malo mund të kishin shënuar, sikurse dhe Mata për Burrelin. Por në fund 0-0. Në të dytën, në minutën e 58-të, Dibra ka goditur rrjetën e jashtme.
Në të 70-n, Marashi ka shpërdoruar një mundësi të mirë. Kurse në minutën e 77-të, Myftaraj mund ta kishte kaluar në epërsi Burrelin. Mirëpo është dashur fundi i lojës dhe qendërmbrojtësi Jakupi i ka mësuar të gjithë se si shënohet. 1-0 për Besëlidhjen, që kështu e nis të Parën me fitore. Dhe kësisoj 2,000 shikuesit lezhjan kanë mbetur të kënaqur.
Besëlidhja – Burreli 1-0
Shënues: Jakupi 90’+1
Besëlidhja: Rexhepi, Shytani, Jakupi, Dibra, Baçi, Xhorxheviç (Mehja 58’), Muçollari, Gruda (Lini 62’), Gjokeja, Marashi (Puka 82’), Malo. Trajner: S. Bardhi
Burreli: Xhixha, Kaloshi, Mellugja, Qendro, Methasani, Rapo, Bruka, Myftaraj, Hyseni (Markaj 77’), Mata (Tema 90’+3), Pirani (Salaj 89’). Trajner: V. Gjoni
Gjyqtarë: K. Shahini, F. Elezi, A. Demiraku (Durrës)
Karton i verdhë: Gruda