AlbanianSport.com 16.02.2015 07:55
ASNN – Fundjava që shkoi ka qenë mjaft e frytshme për futbollistët e Kombëtares kuqezi, duke shënuar apo krijuar gola me klubet e tyre nëpër kampionatet evropiane. Gashi, Roshi dhe Meha kanë gjetur rrugën e rrjetës në Zvicër dhe Gjermani, ndërsa në Itali, Hysaj dha një pasim për gol dhe Etrit Berisha e ka mbajtur të paprekur portën e tij si titullar.
Trajneri i Kombëtares, Xhovani De Biazi, me siguri që e ka shijuar fundjavën që shkoi. Kjo sepse futbollistët kuqezinj kanë spikatur me klubet e tyre në kampionatet evropiane, duke i dhënë trajnerit shpresë për ndeshjen e radhës me Armeninë. Gjithçka nisi të shtunën në Superligën zvicerane, me Shkëlzen Gashin, i cili shënoi golin e barazimit 1-1 me Sionin, duke i siguruar kështu një pikë të vlefshme skuadrës së tij edhe falë një devijimi.
Ndërsa të dielën kanë ardhur dy gola të tjerë kuqezi, fillimisht me autor Odise Roshin, i cili i siguroi fitoren minimale FSV Frankurtit të tij në ndaj Lajpcigut në Bundesligën e tij gjermane. Ai këmbënguli deri në fund, duke i rrëmbyer topin portierit vendas dhe duke u treguar i saktë me portën e boshatisur. Më pas ka ardhur një gol mjaft i bukur i Alban Mehës në Bundesligën e parë, gol që i ka siguruar Paderbonit të tij fitoren 2-1 me përmbysje ndaj Hanoverit.
Ky gol ka patur pra edhe vlerën e tre pikëve. Lojtari i Kombëtares shqiptare u aktivizua përgjatë gjithë takimit dhe në minutën e 79-të i shpërbleu besimin trajnerit të tij duke lëshuar një goditje të pakapshme për portierin kundërshtar. Deri në ato momente ndeshja ishte e mbërthyer në shifrat 1-1 dhe goli i Mehës rezultoi vendimtar. Ky 3-pikësh ishte mjaft i rëndësishëm për Paderbornin pasi gjendej në zonën e ftohtë të renditjes.
Ndërsa tani, skuadra e Mehës është ngjitur në vendin e 12 me 23 pikë, një më shumë se Dortmundi i vendit të 14. Në Serinë A, Elseid Hysaj ka dhënë pasimin e golit të shënuar nga Makarone në barazimin 1-1 që Empoli i tij mori në “San Siro” ndaj Milanit, kurse Etrit Berisha e ka mbajtur të paprekur portën e tij si titullar në fitoren minimale që Lacio arriti në fushën e Udinezes.