AlbanianSport.com 28.09.2014 14:35
ASNN – Orikumi do të jetë kundërshtari i parë që do të zbresë në “Nexhip Trungu” në përballjen me Turbinën për këtë sezon të ri të Kategorisë së Dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Cërrikasit kanë një ekip simpatik me ndërthurje mes talentesh dhe lojtarësh me eksperiencë të gjatë.
Trajneri Belshi ka ditur ta koordinojë mjaft mirë kontingjentin e lojtarëve që ka në dispozicion. Skuadra është e kompletuar në çdo aspekt, duke filluar nga lojtarët që disponon, stafi drejtues, drejtuesit e ekipit, po ashtu edhe mbështetja financiare ka qenë e plotë.
Atmosfera mes lojtarëve është shumë e mirë dhe ata premtojnë vetëm fitore në ndeshjen e parë. “Do të ketë një mbështetje të jashtëzakonshme nga tifozët e kjo do të jetë një plus i madh për ne, – ka deklaruar Belshi. – Ajo që kërkoj nga ekipi është që të luajnë futboll e të mos tensionohen, pasi janë aftësi të mrekullueshme e nëse i përdorin në mënyrën e duhur mund të arrijmë majën.”
“Sigurisht që e dëshirojmë fitoren, por nuk duhet harruar që kemi një kundërshtar të fortë përballë”, – ka përfunduar trajneri cërrikas.