Gjergj Vyshka 13.02.2015 12:30
Luiza Gega, rekordmenia e Shqipërisë në vrapimin 800, 1500, 3000, 3000 metra me pengesa dhe 5000 metra, e cila prej më shumë se një muaj ka bërë përgatitje në Tenerife të Spanjës, nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik të Sallave të Mbyllura në Stamboll më 21 shkurt 2015, por as në Kampionatin Evropian të Sallave të Mbyllura në Pragë në fillim të marsit të këtij viti.
Shkak për këtë është bërë një dëmtim që ka pasur në tendinën e këmbës. Sipas trajnerit të saj, Taulant Stërmasi, nuk bëhet fjalë për një dëmtim që do një kohë të gjatë rikuperimi, por është një dëmtim që tani e ka lënë pas në përgatitje. Gega është kampione në fuqi e Ballkanit për sallat e mbyllura, si dhe vitin e kaluar në Sopot e 6-ta në Botëror.
Është atletja më e mirë në vend dhe si e tillë çdo dëmtim i saj është një minus i madh për pjesëmarrjen e mbretëreshës së sporteve në arenën ndërkombëtare. Ndaj ajo që duhet thënë është shërim i shpejtë për Luiza Gegën dhe kthim i saj në pistën e vrapimit. Sepse rezultatet e saj i duhen të gjithë sportit shqiptar në të gjitha nivelet që ka.