Gjergj Vyshka 12.01.2014 14:40
Më 22 dhjetor të vitit të kaluar Federata Shqiptare e Volejbollit ka bërë një testim të trajnerëve të tij për kategorizimin e tyre në Universitetin e Sporteve në Tiranë. Bëhet fjalë për licencimin e tyre dhe lejimin më pas të drejtimit të skuadrës në stol. Mirëpo deri më sot, edhe pse Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Meshkuj dhe për Femra të shtunën nis fazën e dytë dhe të tretë, kategorizimi dhe licencimi i trajnerëve sipas rregullave të kërkuar nuk ka shkuar në dorën e këtyre trajnerëve që e kërkojnë atë.
Ajo që duhet përmendur është fakti se dy muaj më parë, “Gazeta e Sportit” e ka ngritur mungesën e testimit të trajnerëve dhe kategorizimit të teknikëve nëpërmjet zërit të trajnerit të Skënderbeut në volejboll për femra, Romeo Xega. Sepse ka qenë ndër ata që nuk është lejuar për shkak të licencimit të munguar në stol. Në Korçë e ka ndihmuar në momente të caktuar shefja e Klubit Shumësportësh “Skënderbeu”, Tatjana Marash, kurse nëpër rrethe skuadra ka drejtuar veten.
Gjë që është parë edhe në grupin eliminator të Kupës së Shqipërisë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, ndërsa Xega e ka drejtuar skuadrën nga tribuna e shikuesve. Dhe si Xega mund të ketë edhe shumë të tjerë, ndaj është e mira që Federata Shqiptare e Volejbollit të mos i lërë në ajër kategorizimet e trajnerëve, por t’ua japi ato licencime, ndërsa ato duhet të drejtojnë skuadrat normalisht në bankinë. Sikurse ndodh me një pjesë të mirë të ekipeve të të rriturve dhe të rriturat, që e kanë trajnerin në krye.