AlbanianSport.com 28.09.2014 10:25
ASNN – Ndeshja mes Luftëtarit dhe Dinamos, dy ekipe që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar, ka nisur me një ceremoni festive, atje ku topin e parë e ka gjuajtur Arben Çoni, ndërsa fëmijët kanë shpërndarë tufa me lule për lojtarët. Loja ka nisur e shpejtë për gjirokastritët, të cilët me udhëzimet e trajnerit Bledar Devolli janë hedhur në sulm në kërkim të golit të epërsisë dhe më pas dhe të fitores.
Por përtej rasteve të gjirokastritëve, ajo që duhet theksuar është fakti se mbrojtja blu ka qenë e pakalueshme. Gjirokastritët kanë shënuar një gol në pozicion jashtë loje me Çaçon, që është anuluar nga ndihmësit e Feratajt. Dhe atëherë kur pritej goli i Luftëtarit ka ardhur goditja e Dinamos, e cila në minutën e 15-të ka kaluar në epërsi me anë të Turdiut. Pas këtij goli, Luftëtari është hedhur në sulm.
Në të 43-n minutë ka pasur mundësinë më të mirë për të barazuar, por goditja e dënimit e ekzekutuar në mënyrë të shkëlqyer nga Nelaj është pritur po në të njëjtën mënyrë nga Lamellari. Dhe pjesa e parë është mbyllur 1-0 për kryeqytetasit. Në pjesën e dytë Devolli e ka nisur me zëvendësime të shpejta, ndërsa në fushën janë Erg. Mersini dhe Duka.
Ndërkohë Mehmeti, edhe duke parë nervozizmin e Tragajt, e ka hequr atë dhe duke futur Mezinin ka forcuar mesfushën. Pesë minuta përpara përfundimit të lojës në fushë për Dinamon është i riu Shkalla, i cili ka gatuar dhe golin e dytë të bluve, që ka për firmëtar Rezin dhe në fund 2-0 për blutë. Që kështu kanë marrë një fitore të merituar në Gjirokastër, ndërsa sezonin e nisin si kryesues të Jugut.
Luftëtari – Dinamo 0-2
Shënues: Turdiu 15’, Rezi 90’+4
Luftëtari: Thano, Sulejmani (End. Mersini 46’), Rexha, Çaço, Erg. Mersini, Nelaj, Lluka (Duka 46’), Qejvani, Aliaj (Zhupa 68’), Frashëri, Çunaj. Trajner: B. Devolli
Dinamo: Lamellari, Tafaj, Rexhepi, Thana, Duqi, Muça, Capa (Shkalla 85’), Arifaj, Tragaj (Mezini 50’), Ferraj (Rezi 45’+3), Turdiu. Trajner: D. Mehmeti
Gjyqtarë: O. Ferataj, N. Rrapaj, Q. Shehaj (Patos)
Kartonë të verdhë: Erg. Mersini / Lamellari, Rexhepi, Duqi, Tragaj, Turdiu
Minutat e golave:
15’ Capa tenton të hyjë në mbrojtjen gjirokastrite e, pasi shmang Sulejmanin, godet fort, topi prek shtyllën e kthehet në lojë dhe Turdiu, i cili e ka ndjekur aksionin nga afër, e ka përcjellë sferën në rrjetë. 0-1
90’+4 Gjyqtari i katërt ka akorduar katër minuta shtesë, aq sa Dinamo ka pasur mundësi për të gjetur golin e dytë. Shkalla ka krosuar nga krahu i majtë i sulmit blu dhe i sapofuturi Rezi, i vetëm përballë Thanos, ka gjuajtur dhe ka shënuar. 0-2