Marrë nga ABC News 11.02.2015 12:35
“Truko, akuzohu, dënohu 6 muaj, dhe sërish kthehu në fushë”. Kjo duket se është domethënia e vendimit të Komisionit të Etikës për skandalin e manipulimeve në Kategorinë Superiore. Atë që ndodhi në Vlorë, në takimin Flamurtari-Teuta, organi i Federatës Shqiptare të Futbollit nuk e quajti rast serioz, duke u mjaftuar vetëm me pezullim 6-mujor, një dënim i parashikuar nga pika 1 e nenit 68 të Kodit të Drejtësisë Sportive.
Nëse rasti do të ishte konsideruar serioz, sipas rregullores, do të vinte përjashtimi përjetë i lojtarëve të akuzuar. Çdo të thotë rast më serioz se ky? Përse rasti i mbrojtësit Pisha nuk quhet serioz, veçse i tillë që duhet denoncuar në prokurori? Gjithashtu, nuk është e qartë sesi është arritur në përfundimin që vetëm portieri Osmani i Teutës dhe mbrojtësi Pisha i Elbasanit janë të përfshirë në trukim?
Si për të shtuar dyshimet, klubet nuk kanë marrë asnjë masë ndaj lojtarëve. Asnjë klub në botë nuk mund të pranojë futbollistë që komplotojnë për interesin personal, duke shkatërruar imazhin dhe sezonin e skuadrës. Teuta dhe Elbasani nuk janë ndier deri tani. Këtë herë nuk pati as gjobë për klubet, siç ndodhi ndaj Kastriotit e Bylisit, dy sezone më parë.
Kjo, ndonëse pika 2 e të njëjtit nen parashikon gjobë prej 20 milionë lekësh të vjetër për personin juridik, shoqatën ose klubin ku bën pjesë lojtari. Përderisa nuk është arritur as deri këtu, është e kotë të diskutosh për dënim me zbritje të 12 pikëve në renditje, përjashtim apo zbritje e skuadrës një kategori më poshtë. Etika nuk ka mundur të zbulojë dot bashkëpunim në mënyrë të organizuar.
Le të presim që të jetë prokuroria që të hetojë më thellë. Nëse as ajo nuk e bën, atëherë duhet të presim skandale më të mëdha.