Gjergj Vyshka 09.02.2015 21:25
Ndeshja Tirana-Edro Vlora ka qenë disi e vështirë, sepse reshjet e shiut që binin jashtë kanë rënë brenda në parketin e sallës kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. E thënë ndryshe ka pikuar çatia, ndërsa punëtorët kanë ndërhyrë me lecka për të tharë parketin, që nuk duhet të ishte i rrëshqitshëm. E vërteta është se ky fenomen ka qenë edhe gjatë finaleve të Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj.
Madje dje në një farë mënyre, sidomos në fillimin e pjesës së dytë, Tirana-Edro Vlora është vënë dhe në diskutim për vazhdim. Megjithatë ka vijuar, kurse në ndeshjen e dytë atë mes Universitetit Epoka dhe KS Ali Demi te ato pika ku pikon çatia e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” punëtorët kanë vënë legenët për të pritur shiun. Sikur të mos mjaftonte kjon, në ndeshjen e dytë mes Universitetit Epoka dhe KS Ali Demit ka munguar gjyqtari i tretë, Minxholli.
Për rrjedhojë dy gjyqtarët e ndeshjes, Kreshnik Hakrama dhe Andi Bixhi, jo vetëm që kanë arbitruar ndeshjen, por dhe kanë bërë plotësimin e protokollit duke qenë kështu gati-gati gjyqtarë-sekretarë. Dhe kjo nuk është normale në një veprimtari kombëtare si Kampionati i Futbollit të Sallës, që transmetohet direkt nga kanali televiziv sportiv, “Telesport”.