AlbanianSport.com 09.02.2015 22:10
ASNN – Ka mbetur shumë i pakënaqur nga loja e skuadrës presidenti i gjirokastritëve, Flamur Bime. Bëhet fjalë për ndeshjes e së shtunës të luajtur në Ballsh, atje ku Bime ka qenë i pranishëm vetë dhe priste shumë e më shumë nga ekipi krahasuar me atë që ka dhënë në fushën e lojës. Fakti që Luftëtari kishte bërë përforcime, por dhe kushtet stërvitore janë përmirësuar, atëherë drejtuesi i bluzinjve e priste një rezultat pozitiv në Ballsh.
Ndaj sipas tij skuadra nuk kishte asnjë pengesë që të zhvillonte normalisht fazën përgatitore e mandej të nxirrte një ndeshje të bukur në Ballsh duke pasur mentalitetin fitues. Por ka ndodhur e kundërta, ndërsa Luftëtari ka zhvilluar një nga ndeshjet e saj më të dobëta. E për rrjedhojë tashmë i është larguar pretendimeve për në Superiore, ndërsa së bashku me Shkumbinin e Naftëtarin duhet të luftojë për mbijetesë në Kategorinë e Parë.
Futbollistët e Luftëtarit gabuan në shumë drejtime dhe sipas presidenti Bime nuk u treguan profesionistë edhe pse paguhen si të tillë. “Janë nga më të paguarit e Kategorisë së Parë dhe po t’i analizosh individualisht janë të gjithë që kanë luajtur në Kategorinë Superiore”, – ka thënë kryebashkiaku, njëkohësisht edhe presidenti i klubit gjirokastrit.”
“Po loja e treguar në Ballsh tregon se në ekip ka probleme që na takon t’i zgjidhim dhe të marrim masa pasi investojmë shuma të mëdha për futbollin dhe nuk na lejohet që skuadra të jetë në këtë gjendje, – ka vijuar ai. – Ekipi veproi në këtë ndeshje në të kundërtën e porosive që u dhashë përpara zhvillimit të ndeshjes. Dhe porositë kanë qenë që të ishin korrekt në fushën e lojës dhe të mos ndëshkoheshin me kartonë pasi kjo dukuri na ka penalizuar shumë në pjesën e parë të sezonit.”
“Pesë kartonë që u dhanë me të drejtë ndaj futbollistëve tanë na sollën jo vetëm atë humbje, por do të kenë ndikim edhe në ndeshjet e tjera. Nuk do ta lëmë gjëndjen të vazhdojë kështu dhe do të marrim masa për të përmirësuar situatën. Kryesorja është se Luftëtarin nuk do ta lëmë të bjeri nga kategoria”, – ka përfunduar skuadrës presidenti i gjirokastritëve, Flamur Bime.