AlbanianSport.com 09.02.2015 18:25
Tomori e ka festuar gjatë fitoren ndaj Sopotit, të shtunën në Berat, ndërsa sot do të nisëpërgatitjet e veta për ndeshjen e radhës atë me Dinamon në fushë të huaj. Për kapitenin e beratasve, Gersi Arbëri, të paktën edhe sipas asaj që ka deklaruar për faqen në “Facebook” të Klubit të Futbollit “Tomori”, për një skuadër nuk është shumë e rëndësishme fakti nëse ka, apo jo blerje të bujshme.
“E them këtë, sepse ne treguam më shumë se kurrë se suksesi në kampionat nuk ka të thotë se duhet të bësh me patjetër përforcime të bujshme, – ka deklaruar ai. – Ndoshta jemi një ekip modest, por ama dëshira për të fituar na bënë më superior në fushën e blertë. Vangjel Mile? Është një futbollist me eksperiencë dhe e di ç’do të thotë të mbash veshur fanellën e Tomorit.”
“Ai debutoi me gol dhe e prisja një gjë të tillë prej Miles, – ka theksuar kapiteni beratas. -Shpresoj që dhe në vazhdim të eci më këto ritme, pasi do të na e lehtësoj akoma më shumë objektivin. Gjithsesi merita është e gjithë grupit dhe i falënderoj të gjithë djemtë e ekipit pa përjashtim.” Me fitoren e së shtunës, Tomori është vetëm dy pikë larg vendit të dytë dhe 6 pikë larg Lushnjës kryesuese, teksa kështu pretendon, pse jo, të ngjitet në Superiore.