AlbanianSport.com 09.02.2015 11:40
ASNN – Komisioni i Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit do të mblidhet sërish sot pasdite, për vijuar shqyrtimin dhe mbledhjen e informacioneve të mundshme në lidhje me ndeshjet e javës së 19-të të Kategorisë Superiore, të përfolura si të trukuara: Flamurtari-Teuta, Vllaznia-Kukësi dhe Laçi-Partizani. Etika në FSHF pati vendosur të mos dilte në konkluzione, por të merreshin në pyetje të gjithë anëtarët e 6 klubeve të Superiores. Të hënën e shkuar janë shqyrtuar materialet për takimin e Vlorës, mes Flamurtarit dhe Teutës, për të cilin edhe Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet kryesisht. Gjatë javës që shkoi, para komisionit janë paraqitur edhe zyrtarët e ndeshjes në fjalë, përfshi gjyqtarin Kridens Meta, si dhe drejtuesit e Flamurtarit, presidenti Sinan Idrizi e drejtori teknik Ardi Behari, të cilët kanë dhënë shpjegimet e tyre për ato minuta të fundit të sfidës së Vlorës. Duke qenë se volumi i materialeve që duhen shqyrtuar është tejet i madh, Komisioni i Etikës mori kohë për shqyrtimin dhe njoftoi për një tjetër mbledhje dhe sot do të thirren edhe dëshmitarë të tjerë, në lidhje me ndeshjet Vllaznia-Kukësi e Laçi-Partizani.