Gjergj Vyshka 08.02.2015 21:10
Pas ndeshjes finale të Kupës së Shqipërisë, trajneri i Studentit, Ylli Tomori, ka deklaruar: “Jam i kënaqur me skuadrën dhe me detyrat që i caktojnë vetes. Por mbi të gjitha jam i kënaqur me përgatitjen që ne bëjmë, pa harruar këtu disiplinën në skuadër, harmoninë, punën. Ka shumë faktorë pozitiv Studenti ndaj ekipeve të tjera.”
“Ndaj Teutës në fakt skuadra kishte një presion të dukshëm dhe nuk doli në lojën e vetë që duhet të jepte realisht, – ka vijuar trajneri i kampionëve dhe kombëtares së rrjetës së meshkujve. – Por kjo finale të paktën kishte një pastërti loje, një zhdërvjelltësi loje pa marrë parasysh se cilin kishim kundërshtar.
“Pra ne nuk menduam asnjë herë që ishte Farka Volej përballë, – ja theksuar Tomori. – Ne menduam që ishim përballë një finalisti. Për ne çdo ndeshje është finale pavarësisht sfidantit.” Ndërkaq, trajneri i Farka Volejit, Dritan Bardhi, ka vlerësuar se për skuadrën e tij, edhe arritja në finale ishte një fitore historike.
“Një përvojë shumë e bukur, – ka deklaruar trajneri pasionant i Farka Volejit. – Padyshim që kualifikimi deri në finale ishte një arritje për skuadrën tonë. Nëse një vit më parë shkuam në gjysmëfinale, këtë vit u kualifikuam në final. Diferencën e bëri përvoja, teksa mosha mesatare e jona është 18 vjeç. Skuadra ra psikologjikisht.”