Gjergj Vyshka 08.02.2015 12:25
Zhvillimi i ndeshjes me Besën ka qenë në pikëpyetje, sepse të paktën 30 minuta përpara fillimit të ndeshjes Kamza nuk i kishte paguar detyrimet e saj në Federatën Shqiptare të Futbollit, të cilat ishin në një shumë prej 800.000 lekësh të rinj. Dhe vetëm kur Zani ka dalë nga dhomat e zhveshjes dhe ka thënë “e zgjidhëm…!”, atëherë është kuptuar që ndeshja do të luhej. Sepse në të kundërt, Kamza do ta kishte të sigurt humbjen në “tavolinë”, çka do të komprometonte më shumë situatën e saj për mbijetesë.
Etien Hametaj është shpëtimtari i Kamzës, ndërsa në një ndeshje mediokër për nga niveli dhe në një fushë të vështirë dhe të përbaltur, ai është bërë shpëtimtari i situatës. Ka shënuar një “euro-gol” në minutën e 65-të, ndërsa gjithçka e realizuar prej tij ka vlejtur për një trepikësh të artë për skuadrën e Ylber Zanit. Në të vërtetë Kamza ka vuajtur, sepse ende nuk po shërohet nga sëmundja e humbjes së 11-metërshave. Pas Bllokut ndaj Tërbunit, pas Kolecit ndaj Korabit, tashmë dhe Ymeri dje me Besën nuk ka qenë në gjendje të shënojë gol.
Dhe gjendja është e atillë sa dhe vetë Zani ende nuk po di se kujt t’i besojë që të gjuajë 11-metërsha. Megjithatë Hametaj e shpëtoi Kamzën dje, ndërsa këtë skuadër e presin dy ndeshje të vështira në fushë të huaj. Fillimisht me Mamurrasin dhe më pas me Ilirinë në një tjetër sfidë direkte për mbijetesë. Sakaq Besa është zhytur në krizë, ndonëse trajneri Bledar Sinella beson se kjo skuadër i ka të gjitha shanset për të mbijetuar në Kategorinë e Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.