Gjergj Vyshka 07.02.2015 16:55
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka shtuar takimet me federatat sportive për kualifikimin me normë në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Kështu ka ndodhur dhe dje, ndërsa në sallën e mbledhjeve të Agjencisë së Shërbimit të sporteve, drejtori i sportit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, si dhe përgjegjësi i sportit elitar në këtë dikaster, Arjan Konomi, kanë pasur takim me federatat e sporteve olimpike.
Kanë qenë të pranishëm sekretarët e Federatave të Atletikës, Boksit, Mundjes, Qitjes, Notit, Taekuondosë, Xhudos, ndërsa është këmbëngulur në zhvillimin e të gjitha garave kualifikuese.
Madje është kërkuar dhe informacion për datat e tyre. Kësisoj të gjitha Federatat tashmë janë të angazhuara për kualifikimin me normë në Olimpiadën e Brazilit më 2016-tën.