AlbanianSport.com 06.02.2015 21:45
ASNN – Takimi që presidenti i Luftëtarit, Flamur Bime, ka zhvilluar me skuadrën në prag të ndeshjes me Bylisin në Ballsh është shoqëruar një ditë më pas me një stërvitje intensive dhe përgatitje të veçantë brenda grupit, pasi bluzinjtë kan vetëm një objektiv, që është fitorja. Për këtë qëllim edhe ditën e djeshme Devolli ka zhvilluar ndeshje duke e ndarë ekipin në dy grupe, ku në njërin prej tyre bënin pjesë ata që mendohet se do të jenë titullar.
Ndeshja me Bylisin konsiderohet jo vetëm si më e vështira, por edhe si kthesa për skuadrën gjirokastrite në realizimin e objektivit. Vështirësia qëndron në faktin se edhe ballshiotët kanë të njëjtin objektiv dhe janë edhe më të favorizuar nisur dhe nga fusha e tyre. Sepse janë më të motivuar ta fitojnë ndeshjen. Gjirokastritët besojnë shumë në fitore jo vetëm se kanë zhvilluar një periudhë më të mirë përgatitore, por kanë bërë edhe tre përforcime cilësore, sidomos në repartin e sulmit me Tahirllarin dhe Brahon.
Por edhe Dejan Dosti në mbrojtje është një tjetër përforcim për Luftëtarin. Duke qenë në pozita të njëjta si Luftëtari edhe Bylisi do ta bëjnë ndeshjen tepër të fortë dhe vështirësia për të fituar do të jetë e madhe, atje ku nuk mund të parashikohet asnjë rezultat. Por e vetmja gjë që mund të thuhet është se skuadra që do të fitojë do të ketë më shumë pretendime për t’iu bashkuar ekipeve pretendente për në Kategorinë Superiore nga grupi i Jugut.
Nga 10 ekipe të këtij grupi duket se vetëm Naftëtari dhe Shkumbini kërkojnë “mbijetesën”, ndërkohë që të tjerat janë në garë për vendin e parë. Dhe kjo pavarësisht se Lushnja, Dinamo, Butrinti, Sopoti janë më të shkëputura nga skuadrat e tjera. Luftëtari pas javës së 12-të ndodhet në vendin e 8-të, vetëm 7 pikë larg vendit të parë dhe shpreson ende se mund t’i bashkohet kreut. Dhe nëse fiton në Ballsh, duke përfituar edhe nga që Lushnja e Dinamo do të ndeshen së bashku, i shtohen pretendimet aq më tepër që në lojë janë plot 45 pikë.