Gjergj Vyshka 06.02.2015 19:05
Pasi ka përfunduar Kupën Mbarëkombëtare të Lojës në Çift në disiplinën me 9 gurë javën e kaluar, bilardoja shqiptare është tashmë në prag të kampionatit ekipor. Sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Bilardos në faqen e saj në “Facebook”, ekipori, që do të zhvillohet nga data 28 shkurt-1 mars 2015, do të jetë në të tre disiplinat. Bëhet fjalë për lojën me 8, 9 dhe 10 gurë.
Deri më tani për këtë kampionat janë regjistruar skuadrat e Partizanit, Tiranës, Dinamos, Teutës (me tre ekipe), Laçit, Malësisë së Madhe, Lushnjës, Tomorit, Apolonisë, Flamurtarit, Përmetit, Butrintit, Elbasanit, Skënderbeut, Naftëtarit (me dy ekipe), Vllaznisë, Besëlidhjes, Rrëshenit dhe Kukësit. Në këtë veprimtari, çmimi për të marrë pjesë në këtë kampionat është 1,000 lekë të rinj.
Kurse për bilardistët nga Kosova dhe Maqedonia është 7 euro për bilardist. Ndërkohë Federata Shqiptare e Bilardos ka lajmëruar se ndeshjet e këtij ekipori do të transmetohen direkt nga kanali sportiv, “Telesport”, si dhe do të ketë kronika dhe njoftime për rezultatet në televizionet kryesore në Shqipëri.
Madje audienca e këtij kampionati, gjithnjë sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Bilardos, do të shtrihet edhe në Kosovë nëpërmjet valëve të Klan Kosovës dhe RTK-së. Dhe sigurisht që Federata Shqiptare e Bilardos nuk ka harruar të njoftojë anëtarët e saj që një pasqyrim për kampionatin do të ketë dhe në shtypin e përditshëm. Në këto kushte, ekipori i bilardos jo vetëm që është në prag, por është dhe gati.