Gjergj Vyshka 06.02.2015 15:05
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Taekuondosë, Arben Markaj, ka lajmëruar se fondi “grant” i akorduar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit është më i madh se vitin e kaluar.
“Dhe tashmë ne do të mbledhim kryesinë për të bërë ndarjen e tij duke pasur parasysh edhe veprimtaritë që do të kemi për kualifikueset e Lojërave Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016””, – ka thënë ai.
Dhe pikërisht për këto kualifikuese, taekuondistët e “Top Gym Sport” të hënën do të nisen drejt Antaljas, atje ku do të marrin pjesë në një tjetër veprimtari të tipit “G1”, që është i vlefshëm për të marrë pikët e kualifikimit për në Olimpiadë.
Në këtë veprimtari, “Top Gym Sport” do të përfaqësohet nga Ada Demneri, Donaldo Dizdari (medalje e argjendtë në Bosnjë-Hercegovinë) dhe Julian Selenica, të cilët do të shoqërohen nga trajneri i tyre Leo Kapri.
Kështu taekuondoja është në prag të ndarjes së grandit dhe aktiviteteve ndërkombëtare e më pas dhe kombëtare.