AlbanianSport.com 27.09.2014 20:25
ASNN – Nga e enjtja pasdite, e deri të shtunën pasdreke, në mjediset e Sallës Sportive “Fahrie Hoti” në Tiranë, është zhvilluar Kampionati Kombëtar i Boksit për Të Rritur. Gara ka nisur me duelet çerekfinale, për të vijuar të premten me gjysmëfinalet dhe të shtunën me finalet.
Në këtë kampionat morën pjesë 44 sportistë, që përfaqësojnë 11 ekipe nga e gjithë Shqipëria dhe që do të garojnë në 10 kategori peshash trupore. Ajo që vlen të theksohet është edhe organizimi i shkëlqyer i kësaj veprimtarie nga ana e Federatës Shqiptare të Boksit, e sidomos puna e bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i saj, Edmond Kabashi.
Gjatë ditës së fundit është nderuar me pllakatë mirënjohjeje nga ana e Federatës edhe njëri prej figurave të boksit shqiptar, Kapllan Uka. Në përfundim të ndeshjeve, Tirana ka fituar duelin me Vllazninë, duke u shpallur kështu “kampione” e Shqipërisë në boks për Të Rritur.