AlbanianSport.com 04.01.2015 16:15
ASNN – Janë luajtur sot në mesditë tre ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Partizani ka fituar 2-0 me Laçin falë golave të realizuar nga Fazlliu dhe Bylykbashi. Fitore të rëndësishme ka marrë edhe Kukësi në Shkodër teksa ka mundur Vllazninë 2-0. Ndërsa ndeshja Tirana-Apolonia është mbyllur në barazim 2-2.
Partizani dhe Kukësi kanë siguruar fitoren në ndeshjet e para të vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Të kuqtë kanë mundur 2-0 Laçin, në ndeshjen e luajtur në stadiumin e Fushë Krujës, e cila u transmetua drejtperdrejt nga Televizioni Shqiptar.
Në fillim, në minutën e 6-të, rrezikojnë laçianët por grushton portieri Alban Hoxha i Partizanit. I menjëhershëm është reagimi I Partizanit teksa shënon golin e parë me anë të Fazlliut, vetëm 3 minuta më pas. Në këto momente të mira, skuadra kryeqytetase shënon edhe golin e dytë.
Dorian Bylykbashi godet saktë me të djathtën dhe 2-0. Ky rezultat nuk ndryshon edhe pas 45 minutave të pjesës së dytë. Një fitore të rëndësishme ka arritur edhe Kukësi në Shkodër teksa ka mundur Vllazninë 2-0. Pejiçi në minutën e 3-të dhe Lushtaku në të 10-tën, janë autorët e golave për skuadrën kuksiane.
Ndërsa ndeshja Tirana-Apolonia e luajtur në stadiumin e qytetit të Krujës është mbyllur me rezultatin 2-2. Ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë do të mbyllen me takimin Flamurtari-Skënderbeu që do të nisë në orën 17:00.