Gjergj Vyshka 03.01.2015 19:45
Elez Gjoza, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, ka deklaruar se peshëngritja shqiptare nuk është e pezulluar. Që do të thotë se do të jetë pjesëmarrëse në Kampionatin Evropian të Të Rriturve në Tbilisi, në Botërorin e të Rriturve në Hjuston dhe më pas me kualifikim në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Jo vetëm kaq, por Gjoza ka premtuar se do të merret pjesë dhe në Botërorin e të rinjve në Lima të Perusë. “Ne nuk jemi të dënuar dhe as nuk do të dënohemi, – ka deklaruar ai. – Sportistët kanë firmosur një kontratë si pasojë e së cilës e paguajnë vetë gjobën e dënimit për dopingun.”
Sidoqoftë, deri në përgjigjen përfundimtare Begaj, Pulaku dhe Godelli janë të pezulluar. Ndërkaq, pas largimit të Muharrem Berishës, Sokol Bishanaku është Sekretari i komanduar në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes. Kurse Gjoza ka pranuar se shumë shpejt do të ketë konkurs jo vetëm për postin e sekretarit të përgjithshëm, por dhe për trajnerët e kombëtares.
Dhe për gjendjen e mjerueshme të palestrës, Gjoza ka bërë të ditur se janë në pritje të zbatimit të projektit dhe të premtimit që ka dhënë kryeministri Rama për një palestër moderne.