Gjergj Vyshka 03.01.2015 17:45
Titullari i katërkëndorit blu prej tre vjetësh duket se nuk e sheh më veten pjesë të ekipit. Saliaj: “Ka kërkuar letrat dhe ne nuk mund ta mbajmë me zor pasi dhe ai s’ka dëshirë”. Daniel Lamellari, portieri i Dinamos i cili e ka mbajtur gjallë këtë skuadër që prej tre vjetësh, duket se nuk e sheh më veten pjesë të këtij ekipi.
Problemi është se pas debateve që ka pasur të shtunën në mbarim të ndeshjes me Korabin me administratorin Ismet Saliaj duket se gjërat dje nuk kanë ardhur duke u qetësuar, apo duke u qartësuar. “Ishte në stërvitje, – ka thënë ai. – Por kuptojeni vetë që vjen si pa dëshirë dhe si i tillë ka kërkuar largimin.”
“Sigurisht që ne nuk na vjen mirë në kushtet kur menduam që portën e kishim të sigurt me të dhe me Kotorrin, – ka vijuar zyrtari blu. – Por për sa kohë që është i pakënaqur dhe duke e ditur që edhe mund të na prishë grupin, atëherë jemi të detyruar dhe t’i japim letrat. Nuk e di se ku mund të shkojë, ndoshta tek Sopoti.”
“Por ajo që mund të them është fakti se tashmë jemi të detyruar të kthehemi tek portieri i dytë Guga që patëm. Dhe kjo situatë, tashmë në prag të pjesës së dytë të sezonit, sigurisht që nuk është e mirë. Mirëpo jemi të detyruar të ndeshemi dhe me të tilla gjëra”, – ka përfunduar administratori i bluve, Ismet Saliaj.