Gjergj Vyshka 03.01.2015 17:05
Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, nuk ka folur për komplote, por ka pranuar që Luan Shabani si trajner i kombëtares e ka një pjesë të fajit. “Megjithatë përgjegjësitë e drejtpërdrejta do t’i nxjerrim pasi të vijë përgjigja nga paneli i dëgjimit, që i është i përbërë nga shtatë mjekë të Agjencisë Botërore Antidoping”, – ka thënë ai.
“Unë po ju bëj të ditur se fajësia e tre sportistëve nuk është e vendosur, – ka theksuar Gjoza. – Ne nuk mund të shprehemi. Sekretari Berisha, që ka qenë nismëtari i vajtjes së sportistëve në Greqi, ka dhënë dorëheqjen. Presidenti është post honorifik. Megjithatë ju mund të thoni që duhet të iki e gjithë Federata.”
“Por dikush duhet ta mbajë gjallë peshëngritjen shqiptare. Ne nuk jepemi para vështirësive. Jemi këtu vetëm për të bërë politika në drejtim. Të vërtetën do ta themi vetëm në fund”, ka përfunduar Gjoza, kurse kështu peshëngritja shqiptare vijon t’i bëjë “bllok” dhe të mos zbardhë asgjë rreth asaj që ka ndodhur me dopingun shqiptar në Botërorin e Kazakistanit dhe Evropianin e Qipros.