AlbanianSport.com 03.01.2015 15:45
ASNN – 133 sportistë të 12 klubeve nga Shqipëria dhe Kosova kanë marrë pjesë në veprimtarinë e parë të atletikës shqiptare për vitin 2015. Në përfundim, Gledis Hallunaj dhe Marija Stillo janë shpallur më të mirët e Kampionatit Kombëtar Individual Dimëror, ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, ka shprehur besimin në shtimin e pistave të këtij sporti në vendin tonë.
Edhe pse në kushte të këqija atmosferike, atletika shqiptare ka zhvilluar të martën veprimtarinë e saj të parë për vitin 2015, duke shpallur kampionët e dimrit. Në pjesën më të madhe të garave kanë dominuar atletët e Tiranës dhe Vllaznisë, apo dhe të Skënderbeut e Teutës, ndërsa Gledis Hallunaj dhe Marija Stillo janë shpallur më të mirët e Kampionatit Kombëtar Individual Dimëror.
Sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, pritet përfundimi i pistës së atletikës në “Elbasan” Arena”, por edhe në Shkodër. “Unë jam optimist se me pistën e re në “Elbasan Arena”, por edhe në Shkodër, gjeografia e garave të atletikës shqiptare do të zgjerohet”, – ka thënë ai për AlbanianSport.com. Në Kampionatin Kombëtar Individual Dimëror mungonin dy më të mirët e atletikës shqipare, Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj.
Kampionati Individual
Dimëror i Atletikës
Rezultatet teknike:
Meshkuj
60 m/p Ravio Rama (Tirana) 8”90
Kërcim 3-hapësh Gledis Hallunaj (Vllaznia) 14.71 m
Hedhje gjyle Adriatik Hoxha (Teuta) 15.74 m
60 m Mario Shestani (Vllaznia) 7”32
Kërcim së gjati Gledis Hallunaj (Vllaznia) 7.04 m
800 m Malvin Nikolla (Tirana) 2’00”64
3000 m Genci Lugja (Tirana) 9’17”67
400 m Lulzim Çengeli (Vllaznia) 50”78
1500 m Mario Makaj (Teuta) 4’16”52
Sportisti më i mirë: Gledis Hallunaj (Vllaznia) 931 pikë olimpike
Femra
60 m/p Sindi Prifti (Dinamo 2010) 10”54
Kërcim 3-hapësh Dorina Myrto (Teuta) 10.38 m
Hedhje gjyle Adifete Tola (Teuta) 8.50 m
60 m Marija Stillo (Skënderbeu) 7”99
400 m Relaksa Deliu (Tirana) 1’02”14
800 m Elina Cufe (Tirana) 2’36”94
1500 m Klaudia Sharka (Tirana) 6’30”55
Kërcim së gjati Ana Burda (Skënderbeu) 5.13 m
Sportistja më e mirë: Marija Stillo (Skënderbeu) 899 pikë olimpike