AlbanianSport.com 03.01.2015 15:05
ASNN – Ndryshe nga çfarë kishin bërë planet kuçovarët, Naftëtari duket se ka mbetur “gjysmagjel” në këtë treg të lëvizjeve të futbollistëve. E thënë ndryshe, skuadra që mbyll renditjen në grupin e Jugut të Kategorisë së Parë, e cila në 12 javë ka grumbulluar 11 pikë, nuk ka asnjë të ardhur nga tregu i lëvizjeve të futbollistëve në dimër.
Sipas kuçovarëve, Federata Shqiptare e Futbollit ka komunikuar zyrtarisht se nuk do të ketë përforcime dhe federime me lojtarë të huaj. Që do të thotë se tashmë janë larguar brazilianët Pedro Mistieri dhe Nilton De Paula. Ndërkohë që mbrojtësi i Pogradecit, Kllogjëri ka firmosur për Sopotin.
Jo vetëm kaq, por të paktën edhe sipas faqes në “Facebook”, KF Naftëtari, Dhrami nuk ka qenë në planet e skuadrës së drejtuar nga dyshja e trajnerëve, Adriatik Kanani dhe Dashnor Dume, kurse nga ana tjetër, Zylyftari është pezulluar për një afat të pacaktuar kohor.
Parë kështu vazhdimi i Kategorisë së Parë për Naftëtarin duket se do të jetë jo vetëm një mision i vështirë, por dhe i pamundur për të mbetur në këtë kampionat. Ndonëse shanset ekzistojnë realisht. Naftëtari më 7 shkurt në stadiumin “Bashkim Sulejmani” në Kuçovë do të presë Shkumbinin.