AlbanianSport.com 31.01.2015 20:40
ASNN – Tashmë është zyrtare, kjo edhe për arsye se klubi i Pejës, ka njoftuar nëpërmjet faqes zyrtare në Internet, se pavarësisht përpjekjeve, nuk ka arritur dot një marrëveshje të re me qendrën shqiptare, Gerti Shimën. Kësijoj, vijnë ndryshime të mëdha te Klubi i Basketbollit “Peja”, sidomos pas rezultateve të dobëta në ndeshjet e fundit.
Humbja nga 76-103 nga SIGAL Prishtina ka bërë që skuadra të alarmohet dhe të filloj të mendoj për ndryshime. Dhe pikërisht kjo epokë e re te skuadra e basketbollit në Pejë ka prekur edhe basketbollistin nga Shqipëria, Gerti Shima. Klubi ka njoftuar nëpërmjet faqes zyrtare se pavarësisht përpjekjeve nuk ka arritur marrëveshje me qendrën dhe pasi e kanë falënderuar lojtarin, kanë shkëputur përfundimisht bashkëpunimin.
Vetëm pak ditë më parë nga Peja u largua dhe njëri nga basketbollistët më të mirë që ka pasur Kosovë, Samir Shaptahoviçi. Ndërkohë, te pejanët ka pasur edhe dënime për shkak të mosmarrëveshjeve me klubin. Kështu janë pezulluar Rron Grapci dhe Vigan Radoni për 3 ndeshje. Gjithsesi, pavarësisht këtyre problemeve, Peja ka paralajmëruar përforcime, madje njëri nga ta do të zbarkojë së shpejti në qytetin e Pejës.