Gjergj Vyshka 31.01.2015 16:35
Erzeni i Shijakut është duke këmbëngulur fort që në fazën e dytë të kampionatit të Kategorisë së Dytë, që nis më 22 shkurt, të ketë në skuadrën e vet Orland Hodon, mesfushori i cili në fazën e parë ka luajtur për Sukthin.
Madje, sipas faqes në “Facebook” të klubit të futbollit “Erzeni”, edhe vetë futbollisti ka shprehur dëshirën për të luajtur me shijakasit, të cilët për hir të së vërtetës duhet pranuar se janë pretendent për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë.
Mirëpo është bërë pengesë Sukthi, drejtuesit e të cilit kanë bërë të ditur se lojtari i tyre ka një kontratë njëvjeçare për të zbatuar. Ndonëse vetë futbollisti pretendon nuk ka asnjë dijeni.
Në kushtet kur përforcimet dimërore marrin fund zyrtarisht të hënën në ora 23:00, atëherë Erzeni i ka bërë thirrje Sukthit që të japi kartonin e lojtarit dhe të mos bëhet pengesë për të.
“Mesa duket Sukthi është duke pritur që të përfundojë koha e lëvizjeve të futbollistëve dhe më pas të sqarojë nëse lojtari ka apo s’ka kontratë me ta. Këto janë pretendime amatoreske, ndërsa është e mira që të mos bëhen pengesë për Hodon, pasi ai duhet të jetë pjesë e Erzenit”, kanë thënë shijakasit, ndërsa sot ato do të luajnë miqësoren e tyre të katërt, teksa në “Tofik Jashari” të Shijakut do të presin Burrelin e Kategorisë së Parë.