AlbanianSport.com 30.01.2014 20:25
ASNN – Tri skuadrat e kryeqytetit, Tirana, Partizani, por edhe Dinamo, do të jenë të detyruara që ndeshjet e radhës së gjysmës së parë të muajit shkurt t’i luajnë larg shtëpisë, për shkak se Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” ende nuk është gati. Shtrimi i tapetit të stadiumit ka përfunduar, por fusha nuk do të jetë ende gati për shkak të kërkesave teknike të përshtatjes dhe kushteve atmosferike.
Shtrimi i tapetit të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” ka përfunduar, por fusha nuk do të jetë ende gati për 3 skuadrat e kryeqytetit, Tiranën, Partizanin, por edhe Dinamon. Duke folur për AlbanianSport.com, drejtori i stadiumit, Eduard Prodani, ka sqaruar se gjithçka do të varet nga kushtet atmosferike. “Jemi me sytë nga qielli”, – ka thënë ai, duke buzëqeshur dhe duke ngritur sytë lart.
“Ne e kemi bërë gjithçka në përputhje me ato afate që ishin parashikuar, por tashmë tapeti i ri do kohën e vet për t’u lidhur me dheun poshtë dhe kjo do të varet nga koha dhe temperatura e atmosferës, – ka shtuar Prodani. – Por unë jam optimist që fusha mund të jetë gati për javën e 21-të të Kategorisë Superiore. Megjithatë, siç e thashë, nuk varet nga ne.”
Prodani ka sqaruar se tapeti i ri është i përshtatshëm edhe për t’u ripërdorur në rast transferimi. “Ky ishte në fakt një kusht që ne i vumë firmës kontraktuese dhe ajo na e ka garantuar një gjë të tillë”, – ka sqaruar ai. Një risi e gjithë punës së kryer në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” është edhe mbulimi pjesëve anësore me bar natyral, si për arsye estetike, por edhe praktike, në rast dëmtimi të fushës.