AlbanianSport.com 30.01.2014 18:25
ASNN – Tepelena dhe Luftëtari, në miqësoren e luajtur mes tyre dje në stadiumin “Karafil Muço”, janë ndarë në një barazim pa gola, që duket se si rezultat ka qenë përfundimi më i drejtë për atë çka kanë prodhuar lojtarët në fushën e lojës. Tepelenasit e trajnerit Ilir Selimit e kërkuan më shumë golin dhe humbën raste më të favorshme për të shënuar në portën gjirokastrite. Në një rast në pjesën e dytë goditën edhe shtyllën pingule dhe disa herë portieri gjirokastrit Thano u bë pengesë që vendësit të shënonin.
Luftëtari e qarkulloi më shumë topin, por larg zonës së portierit Boçi. Ata preferuan gjuajtjet nga distanca, veçse shënjestra e tyre ka qenë e gabuar dhe asnjëherë nuk ka përfunduar në rrjetë. Në pjesën e dytë niveli i lojës ra shumë dhe kjo për shkak të ndërrimeve të shumta që bënë trajnerët e të dy ekipeve. Devolli i kreu më shpejtë zëvendësimet duke lënë në fushë vetëm katër titullarë dhe të fundit largoi nga lojë futbollistin me kombësi greke që mbërriti ditën e djeshme për t’u’ provuar tek skuadra gjirokastrite.
Ai është Athanas Paparunas, i cili u dallua për shpejtësi në lojë dhe teknikë të lartë në përpunimin e topit duke lënë të kuptohet se do të jetë pjesë e formacionit gjirokastrit në vazhdimësi të kampionatit. Ndeshja nuk u zhvillua me kohë të plotë, sidomos pjesa e dytë, e cila zgjati vetëm 35 minuta. Dhe kjo e ka bërë të pakënaqur trajnerin Devollin, sepse nuk iu dha mundësia për të parë nivelin e futbollistëve që aktivizoi pjesën e dytë. Sepse po ta dinte do t’i kishte aktivizuar ato më përpara.
Organizimi i kësaj ndeshjeje miqësore nuk ishte në nivelin e duhur dhe më shumë ishte e papërgatitur. Sepse gjyqtarët nga Memaliaj kanë ardhur me 30 minuta vonesë, ndërsa fillimi i ndeshjes është gjykuar nga ish-futbollisti i Tepelenës, Miri Kasneci. Më vonë, me futjen në fushë të gjyqtarëve, loja u acarua disi, ndërsa u dhanë pesë kartonë të verdhë. E kjo jo për konfrontim të futbollistëve, por për ndërhyrje të ashpra. Në përfundim 0-0 dhe një ndeshje pa shumë shkëlqim për Luftëtarin.
Tepelena – Luftëtari 0-0
Tepelena: Boçi, Qori, Burhani, Çako, Karamani, Mirani, Jaupi, Abazi, Sulaj, Xhafa, Rustemi. Trajner: I. Selimi. U aktivizuan: Sunda, Shehaj, Laçi, Ruçi, Kuçi, Dervishi, Fafa, Hoxha.
Luftëtari: Thano, Frashëri, Rexha, Brahimi, Dosti, Erg.Mersini, Lluka, Çaço, Shenaj, Paparunis, Tahirllari. Trajner: B. Devolli. U aktivizuan: Birja, Duka, End. Mersini, Zholi, Këndella, Gaba, Biraçi, Hima, Kazma
Gjyqtarë: E. Tafili, E. Mullai, H. Mateli (Memaliaj).
Kartonë të verdhë: Xhafa, Mirani, Sulaj / Brahimi, Mersini