Gjergj Vyshka 30.01.2014 11:05
Nga gëzimi i daljes në finale në zhgënjim. Kështu ka ndodhur dje në Çmimin e Madh të Kuvajtit me Arben Kuçanën, i cili të hënën në qitje me pistoletë në distancën 50 metra kishte marrë medalje bronzi. Dje në qitje me pistoletë 10 metra ajër e nisi mirë garën, teksa duke u renditur i gjashti me 575 pikë hyri në finale.
Në garën kualifikuese në gjashtë goditje, Kuçana grumbulloi 100 pikë, 96 pikë, 94 pikë, 95 pikë, 95 pikë dhe 95 pikë. Por në finale asgjë e mirë. Vetëm zhgënjim, aq sa dhe vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Qitjes, Stefan Rufa, ka pasur shumë për të thënë.
“Mori fishekun e parë 1, pastaj të tjerat sa pare bën”, – ka thënë Rufa në gjuhën popullore. Dhe në përfundim në finale, Kuçana qenë i teti. Ndërkohë që Arben Cerina ka zënë vendin e 25-të me 556 pikë në qitje me pistoletë 10 metra ajër, që në fakt e ka zhgënjyer më shumë Rufën.
“Kisha të paktën gati një muaj para aktivitetit që i kërkoja të vazhdonte stërvitjen, – ka shfryrë kreu i qitjes shqiptare. – Tani të shohim se çfarë do të bëjë në mars në Holandë. Ne themi që, në përgjithësi, ishin mirë në këtë veprimtari. Por mund të bënim dhe më shumë.”
“Gjithsesi na presin të tjera veprimtari përpara”, – ka përfunduar Rufa, kurse e gjithë pjesëmarrja e qitjes shqiptare në Kuvajt përmblidhet me medaljen e bronztë të Arben Kuçanës në qitje me pistoletë në distancën 50 metra.