Gjergj Vyshka 27.09.2014 11:32
Dinamo i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Luftëtarit në Gjirokastër, ndërsa pasi ka bërë gjysmën e pagesave tashmë është e sigurt që do të jetë në kampionat. Për këtë qëllim, dinamovitët dje pasdite janë nisur drejt qytetit të gurtë, atje ku dhe kanë kaluar mbrëmjen e së premtes. Por në kohën që blutë e Mehmetit bënin stërvitje, përfaqësuesi i UEFA-s, që merret me inspektimet e fushave, ka qenë i pranishëm në kompleksin Dinamo.
Duhet kujtuar që në fund të sezonit 2009-2010, në kohën kur Dinamo ka dalë kampion i Shqipërisë për të tetëmbëdhjetën herë, për blutë erdhi si shpërblim një fushë me bar artificial. Tashmë pas katër vjetësh, përfaqësuesi i UEFA-s ka ardhur dhe ka parë fushën, teksa e ka fotografuar atë në çdo cep. I shoqëruar dhe nga drejtori i Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Bledar Doçi, institucionit i të cilit tashmë ka në administrim kompleksin Dinamo, zyrtari i UEFA-s ka konfirmuar se fusha është në gjendje të mirë.
“Së paku, – thotë Doçi, – nuk ka mbajtur ujë pas gjithë atij rrebeshi që ka rënë dje në mbrëmje, sepse dhe drenazhimet i ka në rregull. Mund të jetë konsumuar, megjithatë është në gjendje optimale. Sugjeroi që nuk mund të krihet tani që është e lagësht, por në një kohë më të thatë. Por ajo që më kënaq është fakti që fusha mban, ndërsa në të stërviten përditë një shumicë skuadrash”. “Dinamo” ka edhe sistemin e ndriçimit, që do të thotë se në kompleks do të ketë dhe stërvitje në mbrëmje.