Gjergj Vyshka 30.01.2014 07:45
“Jo doping – Sport i pastër”. Kjo ka qenë tema e seminarit që ka nisur dje në ambientet e hotel “Tirana International”, ndërsa kështu Komisioni Kombëtar Antidoping ka nisur nga funksionimi i tij, teksa drejtohet prej Klodian Allajbeut. Ky seminar, të paktën edhe sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, është në mbështetur jo vetëm nga institucioni që drejtohet prej ministres Nikolla, por dhe nga UNESCO. Dhe në këtë seminar, që ka mbledhur të gjithë sekretarët e federatave sportive, si dhe drejtuesit më të lartë të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, është prezantuar Kodi ndërkombëtar i Antidopingut dhe ndryshimet që janë për vitin 2015, ndërsa gjithçka ka hyrë në fuqi më 1 janar.
Madje të gjitha federatave dhe drejtuesve të saj u janë prezantuar lista e substancave të ndaluara, ndonëse një pjesë e mirë e kanë marrë dhe nga Federatat Evropiane dhe Botërore ku janë anëtare, por dhe metodat e ndaluara të përdorimit të tyre. Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, kodi i ri rrit dukshëm vigjilencën, investigimin, sanksionet dhe saktëson marrëdhëniet e tërë faktorëve, pjesëtarë të zhvillimit të procedurave e metodologjisë stërvitore. Në këtë kuadër, gjithnjë sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Shqipëria ka marrë miratimin e Agjencisë Botërore Antidoping (WADA) për të vënë në zbatim një rregullore të re të funksionimit të Komisionit Kombëtar Antidoping.
Kuptohet kjo në përputhje me kodin antidoping të WADA-s. Seminari dyditor zhvillohet në kuadër të zbatimit të projektit “zhvillimi i programit kombëtar të edukimit dhe zhvillimit të procedurave administrative të komisionit kombëtar antidoping në forcimin e luftës kundër përdorimit të substancave dhe metodave të ndaluara në sport”. Nuk duhet harruar se sporti shqiptar është goditur rëndë me katër rastet e fundit të peshëngritjes, tre prej të cilave janë kapur në Kampionatit Botëror të Të Rriturve në Kazakistan dhe në Kampionatin Evropian të Nën-23-vjeçarëve në Qipro. Dhe të gjithë kanë pasur një substancë të ndaluar, stanozolol.
Në fokus të punimeve dhe diskutimeve të këtij seminari janë çështje si përmirësimi i legjislacionit në fushën antidoping, edukimi antidoping në shkollë, standardet ndërkombëtare të testimit, hetimit dhe të përjashtimit për terapi 2015, shkeljet e rregullave antidoping, etj. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka siguruar se në përputhje me rregulloren e re të miratuar nga Agjencia Botërore e Antidopingut WADA, por dhe mbi bazën e rekomandimeve të ekspertëve të Këshillit të Evropës për organizmin ndërkombëtar antidoping, është e angazhuar në bashkëpunim me Komisionin Kombëtar Antidoping për arritjen e standardeve ndërkombëtare për një sport të pastër.
Në seminarin me temën “Jo doping-sport i pastër”, atje ku i pranishëm ishte edhe Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, si dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, u diskutua edhe për gjetjet e Raportit të Këshillit të Evropës për Komisionin Kombëtar Antidoping. Krahas aktorëve dhe faktorëve të rëndësishëm në fushën e sportit referoi edhe Këshilltari i Agjencisë Botërore Antidoping (WADA), Alesandro Donati. Seminari i mbyll punimet e tij sot, ndërsa shpresohet që në vazhdim Shqipëria të ketë një sport më të pastër dhe më shumë rezultativ.