AlbanianSport.com 29.01.2015 21:15
ASNN – Trajneri i Luftëtarit është duke e përgatitur skuadrën me ngarkesë të plotë fizike, kjo falë dhe kushteve shumë të mira të stërvitjes. Ai po përdor shumë ushtrime dhe veprime në funksion të përgatitjes të gjithanshme të futbollistëve. Ditën e mërkurë e ka filluar përgatitjen e skuadrës me një lojë hendbolli dhe më pas si zakonisht ka ndarë skuadrën në dy grupe dhe ka zhvilluar ndeshje midis tyre. Në skuadrën që ai mendon se do të jetë titullarë në ndeshjen e parë zyrtare me Bylis në Ballsh bëri edhe shume ndryshime futbollistësh dhe rolesh.
Duke treguar se ende nuk ka vendosur përfundimisht për formacionin bazë. Ka zhvilluar deri tani tre takime miqësore dhe në asnjë prej tyre nuk ka rreshtuar formacion të njëjtë. Devollit i duhet ende kohë jo vetëm për përgatitjen e skuadrës, por edhe të krijojë bindjen e plotë për formacionin e duhur. Do të ketë shërbimin e Dostit në mbrojtje dhe Tahirllarit në sulm, por mbeten disa lojtarë pa u pozicionuar ende në vendet ku mund të japin më shumë rendiment në fushë. Në dilemë, Shenaj në mesfushë apo mbrojtje, Frashëri në sulm apo në mbrojtje, Çaço mesfushor ose sulmues.
Mungesa e Ergys Mersinit në ndeshjen e parë të pjesës së dytë, i ndëshkuar me karton të kuq, është një tjetër kërkesë për zgjidhje nga ana e Devollit. Largimi i vlonjatit Ardi Qejvani duket se nuk përbën shqetësim për Devollin. E kjo jo sepse ishte futbollist i panevojshëm, por pozicioni i tij si mesfushor është i zëvendësueshëm. Luftëtari ka lojtarë të shumtë që mund të luajnë në këtë repart. Pritet që sot te Luftëtari të afrohet një futbollist nga Greqia, me kombësi greke, ndërsa emri i tij mbahet ende sekret. Por dihet që në skuadrat greke ka luajtur në rolin e mesfushorit.
Devolli është tepër optimist për skuadrën që stërvit, ndërsa sipas tij ajo është e përgatitur në krahasim me pjesën e parë të kampionatit.