AlbanianSport.com 28.01.2015 20:55
ASNN – Është larguar papritur futbollisti vlonjat Ardi Qejavni drejt Flamurtarit. Qejvani ka qenë i huazuar në skuadrën gjirokastrite në kampionatin e kaluar dhe në fazën e parë të këtij sezoni. Erdhi për të vazhduar me Luftëtarin deri në përfundim të këtij kampionati me shumë ditë vonesë dhe pas një takimi me presidentin e bluzinjve, Flamur Bime, u ra dakord që të plotësoheshin kërkesat e Qejvanit.
Mirëpo ato kanë qenë justifikim, të paktën edhe sipas drejtuesve bluzinj, sepse ai është larguar për të mos u kthyer më tek Luftëtari. Në këto kushte, gjirokastritët janë vënë në kërkim të futbollistëve të tjerë. Bluzinjtë nuk e pritën mirë mënyrën se si u largua Qejvani, por nuk përbën shumë shqetësim për ta. Sepse në rolin që luante vlonjati aktualisht Luftëtari ka të tjerë futbollistë, të cilët mund ta kryejnë më mirë punën e tij.
Dhe pika më e dobët e skuadrës në pjesën e parë të sezonit dhe më e paplotësuar ka qenë pikërisht sulmi. Devolli është duke zhvilluar në fund të çdo stërvitje ndeshje brenda grupit për të pozicionuar më mirë futbollistët sipas roleve ku mund të japin maksimumin e mundshëm. Deri tani ka zhvilluar tre takime miqësore me Apoloninë, të rinjtë e Luftëtarit, si dhe Memaliajn.
Të enjten do të luajë me Tepelenën, ndërsa deri në fillimin e kampionatit ka lënë dhe dy ndeshje të tjera. Me Përmetin është planifikuar një takim i tillë, por nuk është caktuar fusha. Miqësorja e planifikuar me Butrintin nuk u zhvillua. Por kjo ndeshje sipas Devollit ishte e nevojshme, sepse skuadra duhet parë përballë ekipeve të forta, atje ku duhet parë funksionimi i tij.