Gjergj Vyshka 28.01.2015 19:35
Tërbuni ka gjetur fitoren e parë në miqësoret e periudhës përgatitore, teksa dje ka pasur përballë të rinjtë e Vllaznisë, të cilët janë kryesues të Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Nën-19-vjeçarëve. Pukjanët kanë fituar 2-0, atje ku ka shënuar Djarmati, si dhe një futbollist i ri. Deri më tani Tërbuni ka humbur me FC Internacionalin 0-2, si dhe ka barazuar 1-1 me Dinamon në Pezë-Helmës.
Dhe kjo fitore, por dhe ardhjet e fundit nga tregu i lëvizjeve të futbollistëve në dimër i ka bërë të gjithë optimistë në kampin pukjan. Ndërkaq, firma që ka hedhur në kontratë me Tërbunin portieri Vladimir Giljen, i cili duket zëvendësuesi i denjë i malazezit Enis Gjokoviç, i ka bërë të lumtur dhe krenar tifozët pukjan. Veçanërisht ultrasit “Shqiponjat e Veriut”, që e kanë mbështetur Tërbunin si në ndeshjet e luajtura në stadiumin “Ismail Xhemali”, ashtu dhe në fushë të huaj.
“Ardhja e këtij portieri super është arritje për presidencën tonë të mrekullueshme, e cila e bën këtë gjë që të na plotësohet ëndrra dhe dëshira për të qenë në Superiore, – kanë theksuar ata. – Këtë portier e kanë zili të gjitha ekipet e Kategorisë Superiore, sepse ka një nivel të lartë, ndërsa disa sezone më parë luante për portugezët e Nacionalit të Madeirës. Ndaj ndihemi mirë me përfaqësuesin më të ri të skuadrës sonë.”