Gjergj Vyshka 28.01.2015 11:15
Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka nisur një inspektim nëpër zyrat e federatave sportive. Pikërisht përgjegjësi i sportit elitar në këtë ministri, Arjan Konomi, dhe ajo e sportit në shkolla, Elvira Baze, dje kanë qenë në inspektim nëpër Federata.
Ata janë interesuar për të gjitha veprimtaritë që do të bëhen gjatë vitit 2015, ndërsa në qendër të vëmendjes janë garat kualifikuese për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Por ajo që bën çudinë ishte se të gjithë sekretarët e Federatave dje kanë qenë nëpër zyra.
Sepse zakonisht, me përjashtim të atij të mundjes, Ndriçim Spahiu, të alpinizmit e skive, Ilirjan Çule, të qitjes Koço Mikerezi, të shahut Majlinda Pilinçi e të çiklizmit, Alfred Tahiraj, të tjerët është e vështirë t’i kapësh. Kurse dje, edhe sepse Ministria kishte vendosur këtë lloj inspektimi, kanë qenë të gjithë të ulur në tavolinën e tyre.
Që do të thotë se kontrolle të tilla, ndonjëherë duhet të jenë dhe të befasishme, i bëjnë mirë vetë funksionimit të këtyre Federatave.