Gjergj Vyshka 28.01.2015 08:35
Ndryshe nga një ditë më parë, teksa Arben Kuçana do të merrte medaljen e bronztë në Çmimin e Madh të Kuvajtit, e djeshmja ka qenë një zhgënjim. Lumturi Pepa në qitje me pushkë 10 metra ajër ka grumbulluar vetëm 391 pikë dhe pas vetes ka lënë vetëm pesë konkurrente.
Dhe këtë gjë e ka bërë të ditur presidenti i Federatës Shqiptare të Qitjes, Stefan Rufa, që ka deklaruar: “Kishim në garë sot Lumturi Pepën, por ndryshe nga pritshmëritë tona doli dobët. Grumbulloi 391 pikë dhe la nga pas vetëm pesë konkurrentë. Shpresojmë që nesër të kemi një garë më të mirë, ndërsa do të jetë në konkurrim Arben Cerina.”
“E po kështu dhe më pas në garë Arben Kuçana. Shpresojmë që ta kemi dhe një medalje të dytë”, ka thënë Rufa, që së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Koçp Mikerezi, vazhdojnë kontaktet dhe takimet me drejtuesit e Federatës së Qitjes së Kuvajtit.
Ndërkohë dhe vetë qitësja ka pranuar se nuk ka qenë në ditën e saj më të mirë, ndërsa nga Kuvajti për “Gazeta e Sportit” ka deklaruar: “Gara nuk shkoi ashtu siç desha unë. Por janë dhe emocionet e pjesëmarrjes në një aktivitet ndërkombëtar. Megjithatë shpresoj që në veprimtari të tjera të jem më mirë”.