Gjergj Vyshka 27.01.2015 15:15
Qitja shqiptare është ndër ato sporte në vend që pas peshëngritjes gjithnjë na ka përfaqësuar në Lojërat Olimpike. Kështu ka ndodhur më 1972-in në Mynih, atje ku kanë marrë pjesë Beqir Kosova, Ismail Rama, Fatos Pilikati dhe Afërdita Tusha. Më pas më 1992 në Barcelonë, që është Olimpiada e cila rikthen Shqipërinë pas mbylljes nga regjimi komunist, kanë qenë Kristo Robo dhe Enkelejda Shehu.
Në Atlanta 1996 është përfaqësuar nga Diana Mata dhe Enkelejda Shehu. E më pas në Sidnei në 2000-shin nga Diana Mata. Ndërkohë më 2008-tën në Pekin Shqipëria ka qenë me normë, e cila ka ardhur nga nënkampionia e Evropës në Granada 2007, Lindita Kodra, e cila pat zënë dhe vendin e katërt në Kupën e Botës në Kinë më 2008-tën.
Kurse më 2012-tën në Londër Shqipëria e qitjes është përfaqësuar nga Arben Kuçana, që dje ka qenë medalje e bronztë në Kuvajt. Si një ogur i mirë jo vetëm për qitjen, por dhe për të gjithë sportin shqiptar. Sepse kështu sporti është ende në këmbë, larg problemeve të dopingut që pushtuan peshëngritjen, apo dhe larg trukimeve që po mbysin futbollin shqiptar.
Shkurt, Arben Kuçana dhe medalja e tij e bronztë është arritje për qitjen në veçanti dhe sportin në përgjithësi.