AlbanianSport.com 27.01.2015 14:35
ASNN – Është mbledhur sot në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit Komisioni i Etikës, i cili ka marrë në shqyrtim akuzat për lëshime dhe trukimeve të ndeshjeve të javës së 19-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar. Ky Komision ka nisur mbledhjen në ora 14:00 dhe në orët në vijim pritet të mësohet se cilat do të jenë vendimet e marra prej tij lidhur me këtë çështje.
Sikundër ishte njoftuar, në përgjigje të aludimeve për lëshime dhe trukimeve të ndeshjeve të javës së 19-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar, Federata Shqiptare e Futbollit ka mbledhur të martën Komisionin e saj të Etikës. Ky Komision, i cili kryesohet nga Fatmir Brraka, me nënkryetar Bejkush Birçen dhe anëtarë Bashkim Kokën, Adriatik Braçen dhe Ardian Lekën, ka nisur mbledhjen e tij në ora 14:00 në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Komisioni ka marrë në shqyrtim të gjitha provat përkatëse, që konsistojnë në raportimet e zyrtarëve të ndeshjeve Flamurtari-Teuta, Laçi-Partizani dhe Vllaznia-Kukësi, si dhe pamjet filmike të këtyre ndeshjeve. Në orët në vijim pritet të mësohet se cilat do të jenë vendimet e marra prej tij lidhur me këtë çështje. Kodi i Disiplinës Sportive parashikon sanksione sportive, por edhe ndëshkime financiare, sipas nenit 68 të kësaj rregulloreje, që mbulon “influencimin në mënyrë të paligjshme i rezultatit të ndeshjes”.