Gjergj Vyshka 27.01.2015 09:15
Kishte kohë që flitej, madje që pa mbaruar viti 2014, se Sulejman Hoxha, së bashku me Hodon, Zakovën, Taullaun, ishte pjesë zyrtare e skuadrës së Erzenit. E kur në stërvitjen e parë të vitit 2015, më 12 janar, u bashkangjit edhe Tema nga Burreli, Hoxha nuk është dukur asgjëkundi. Madje janë bërë pjesë e skuadrës shijakase dhe Guza nga Vora, si dhe dy portierë, Xheli nga Këlcyra dhe Kasemi nga Egnatia.
Dy miqësoret e humbura me Ilirinë dhe Sopotin krijuan një situatë të pasigurt në skuadër, sepse disfatat u shoqëruan dhe me largime. E në të tilla kushte, Erzeni dukej jo më si një skuadër pretendente. Por të dielën në mbrëmje duket se ka ardhur besimi bashkë me firmën e portierit shijakas Sulejman Hoxha. Pas shumë largimesh, shijakasit ardhjen e Sulejman Hoxhës e kanë quajtur një goditje të madhe në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër.
Sepse edhe duke luajtur në kombëtaret e moshave, pa harruar afirmimin e tij tek Partizani, Teuta, Pogradeci, Apolonia dhe Dinamo, Hoxha duket një siguri më shumë për Erzenin, që kërkon të ngjitet në Kategorinë e Parë. Eksperienca e tij, të paktën edhe sipas faqes në facebook të KF Erzenit, është një faktor kyç në ngjitjen e ekipit në Kategorinë e Parë.
Sepse me blindimin e portës nga Hoxha, atëherë shijakasit kanë siguruar një pikë, e cila u ka çaluar në fazën e parë të kampionatit. Pritet që Erzeni të luajë dy miqësore këtë javë, sot ndaj Teutës B dhe të premten me Besën e Kavajës.