AlbanianSport.com 26.01.2015 18:35
ASNN – Dyshimet për trukim të ndeshjes Flamurtari-Teuta nuk po shqyrtohen vetëm nga institucionet sportive, por edhe ato të drejtësisë. Prokuroria e Vlorës ka hapur hetimin për sfidën e Kategorisë Superiore, të zhvilluar te shtunën dhe e fituar nga ekipi vendas, duke ndërmarrë për herë të parë një nismë të tillë.
Prokurorët kanë marrë në dorë pamjet filmike ku në minutat e fundit futbollistët durrsakë zhvilluan një lojë të çorientuar, e cila u kundërshtua edhe nga tifozeria vlonjate, që e quajti të dhuruar suksesin e Flamurtarit. Drejtuesit e klubit mikpritës kërkuan hetimin e kësaj ngjarje duke u distancuar nga çdo lloj dyshimi për manipulim.
Të njëjtin reagim pati edhe klubi durrsak. Kjo ngjarje ka vënë në lëvizje edhe Federatën Shqiptare të Futbollit, që do të mbledhë të martën Komisionin e Etikës. Dyshime u ngritën edhe në sfidën e së dielës Laçi-Partizani, ku tifozët kryeqytetas pretendojnë se lojtarët kurbinas kanë toleruar, por kjo nuk u shfrytëzua nga futbollistët e tyre.
Përkrahësit e Partizanit protestuan pranë zyrave të Federatës Shqiptare të Futbollit. Një situatë tepër e rëndë që po krijon gjithmonë e më shumë probleme në futbollin shqiptar, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë të dënuar nga ana e drejtësisë penale, por vetëm ndëshkime nga drejtësia sportive.
Prokuroria e Rrethit Vlorë regjistroi kryesisht procedimin penal për akuzën e trukimit të ndeshjes Flamurtari-Teuta, e luajtur të shtunën në mesditë në stadiumin e Vlorës. Kjo nënkupton se prokuroria e Vlorës e ka hapur këtë hetim me nismën e vet, pa patur nevojë për një denoncim apo paditje.
Ndeshja, që ishte e vlefshme për javën e 19 të kampionatit shqiptar të futbollit, ka qenë në barazim 1-1 deri në minutën e 85-të. Pas kësaj minute janë vërejtur në fushë anarki totale dhe lëshim të lojës nga futbollistë të Teutës, për t’i dhënë mundësinë ekipit të Flamurtarit të fitonte ndeshjen.
Duke qenë se situata në fushën e futbollit u bë komike dhe u komentua më së shumti nga tifozët e të dyja ekipeve, Prokuroria e nisi vetë hetimin kryesisht në bazë edhe të Kodit të Procedurës Penale. Pavarësisht se duhet të kishte një denoncim më parë nga vetë FSHF, Prokuroria në bazë të nenit 197, pika 2, nisi hetimet duke dyshuar për trukimin e kësaj ndeshjeje futbolli.
Akuza u ngritën edhe për ndeshjen Laçi-Partizani, ndërsa pritet që edhe Prokuroria e këtij rrethi të regjistroje procedimin penal. Vetë drejtuesit e Flamurtarit e quajtën këtë takim “një komedi të turpshme”. “Një komedi e turpshme në një vend që nuk ka rregulla të qarta loje në asnjë fushë të jetës. Kemi të bëjmë me një kampionat i cili ka shumë pikëpyetje”, – deklaroi administratori i klubit, Sinan Idrizi.
Ai shtoi se “këtu problemi është i sistemit. Ai që luan pastër është më i dobët. Duhet të bëjnë çdo gjë nga e para”. Administratori i klubit vlonjat pohon se mënyra më e mirë për të ringritur futbollin shqiptar është heqja e ndeshjeve të kampionatit shqiptar nga kuotimet e basteve.