AlbanianSport.com 26.01.2015 07:55
ASNN – Erzeni edhe pse fazën e parë të Kategorisë së Dytë e ka mbyllur në vendin e dytë, teksa ka pretendime serioze për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, duket se nuk po kalon situatë të qetë e të këndshme. Jo vetëm dy humbjet në miqësore, 0-5 me Ilirinë e Fushë-Krujës dhe 0-2 me Sopotin, por dhe largimet e futbollistëve e kanë dobësuar skuadrën shijakase.
I larguari i fundit është Rejnaldo Troplini, i cili është pjesë e Mamurrasit në Kategorinë e Parë, atje ku duket se do të kontribuojë për skuadrën e Nicës për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Por ndërkohë Ornoldo Hodo, lojtari që erdhi nga Sukthi, ka ditë që nuk është më pjesë e Erzenit. Nuk ka qenë as në miqësoren e së shtunës me Sopotin, por ka munguar disa ditë në seancat stërvitjen.
Shijakasit nëpërmjet faqes së tyre në “Facebook” kanë bërë të ditur se Sukthi është bërë pengesë për kalimin e Hodos tek Erzeni, ndërsa nuk i kanë dhënë as letrat. Dhe në këto kushte, tashmë nuk dihet më nëse Hodo do të jetë pjesë e Erzenit, teksa duket se tanimë është i larguar nga shijakasit.