Gjergj Vyshka 25.01.2015 08:35
Futbollistët e Ylber Zanit kanë humbur edhe 11-metërsh me anë të Kolecit në pjesën e dytë. “Euro-golit” të Doçit i është kundërpërgjigjur Patushi në fundin e lojës dhe gjithçka barazim. Korabi është shfaqur skuadër autoritare dje në fushën e lojës, teksa në Pezë-Helmës, edhe duke qenë kryesuese e grupit të Veriut në Kategorinë e Dytë, ka ditur t’i imponohet Kamzës, që në fakt është një kategori më lart se dibranët. Është imponuar në mënyrë të atillë sa trajneri i kamzalinjve, Ylber Zani, jo vetëm që e ka vlerësuar mediatikisht skuadrën dibrane për atë që jep në fushën e lojës, por një gjë të tillë ia ka thënë në mbarim të ndeshjes dhe presidentit të Korabit, Fehmi Mziu.
Kamza nuk është se ka bërë shumë lëvizje në formacionin e saj, teksa ka luajtur me skemën taktike 4-2-3-1. Por në mungesë të Ibrahimllarit, i cili është ruajtur pas dëmtimit që ka marrë në stërvitje, në qendër të mbrojtjes përkrah Gjonit është vendosur Nino. E Lame ka luajtur në krahun e djathtë dhe Peposhi në të majtë. Ndërkohë në mesfushë mesfushorin e djathtë e ka bërë Ahmetaj, që do ta linte fushën e lojës ende pa mbaruar pjesa e parë. Dhe në të majtë, thuajse si një sulmues i dytë, është vendosur pogradecari Laçka. Kamza arrin që në një kohë të shkurtër të luajë presingun dhe të godasë në portën e mbrojtur nga Aga.
Madje ka dhe ndërhyrje të ashpra në mesfushë, aq sa është ndëshkuar Doçi me të verdhë. Dhe dibranët, me zgjuarsi e dinakëri, pasi e kanë kaluar ëmbël këtë situatë, edhe sepse kanë qenë të vendosur mirë në mbrojtje dhe në mesfushë, kanë ditur të godasin. Lamaj, në minutën e 27-të, me një gjuajtje të fuqishme nga rreth 20 metra e dërgon topin në krahun e djathtë të Spahos. Kamza prehet dhe me shumë vështirësi arrin të marrë veten. Madje është dashur pushimi i lojës për t’i dhënë një shkundje futbollistëve, të cilët në pjesën e dytë kanë hyrë me një tjetër mendje. Dhe në fillimin e pjesës së dytë Kamza ka fituar të drejtën e një 11-metërshi.
Por Koleci e ka humbur atë, ndërsa është hipnotizuar nga Livani. Ndaj dhe e ka çuar topin jashtë. Të gjitha lëvizjet e dy trajnerëve shtojnë ritmin e sulmeve tek kamzalinjtë, kurse dibranët mundohen të kundërsulmojnë, por nuk kanë gjetur hapësirat e duhura të veprimit. Dhe atëherë kur pritej që Korabi ta mbyllte me fitore këtë miqësore të dytë të periudhës përgatitore, Kamza ka barazuar me anë të Patushit në minutën e 86-të, që kështu shënon përsëri në ndeshjet stërvitore. Aq sa për disa lojtarë Zani është i bindur se ia vlejnë të jenë pjesë e skuadrës së tij. Krahasuar me miqësoren e luajtur ndaj kryesueses tjetër të Kategorisë së Dytë, Gramshit, Kamza ka pasur më përmirësim në lojën e tij.
Por i ka hasur “sharra në gozhdë”, sepse Korabi, një skuadër që po vjen gjithë forcën në Kategorinë e Parë, ka qenë më shumë se sa autoritare në fushën e lojës. Është mbështetur nga 100 tifozë të saj, ndërsa kryesimi në Veri, apo dhe ideja që do të vijnë në një kategori më lartë, i ka bërë të gjithë jo vetëm optimistë, por dhe shumë më të fortë në atë që duan të prodhojnë në fushën e lojës. Sepse Korabi tashmë i beson futbollit teknik duke hequr dorë nga ashpërsia në lojë duke menduar që vetëm kështu do të eci përpara.
Dhe dje mes Kamzës e Korabit, nisur dhe nga fusha cilësore e kompleksit sportiv “Internacional” në Pezë – Helmës, është luajtur një ndeshje shumë e mirë teknike, atje ku diferencën sigurisht që e bënë dibranët.
Kamza – Korabi 1-1
Shënues: Patushi 86’ / Lame 27’
Kamza: Spaho, Lame, Nino, Gjoni, Peposhi, Ahmetaj, Keta, Zuna, Koleci, Ymeri, Laçka. Trajner: Y. Zani. U aktivizuan: Abazaj, Shero, Doku, Mehmeti, Blloku, Hasani, Patushi, Kulla, Ibrahimllari, Bliu, Paplekaj, Gjonaj, Xhixha
Korabi: Aga, Shkalla, Sela, I. Doçi, Melani, Lame, Muçaj, Karaj, Xhafa, Brahasani, Kaloshi. Trajner: E. Laçi. U aktivizuan: Livani, Torba, B.Doçi, Bardhi, Toska, Ibra, Kacnia, Merdini, Gjonpalaj, Jashari, Lleshi, Shehu.
Gjyqtarë: A. Nasse, F. Kolleshi, G. Cenolli (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Koleci / I. Doçi