Gjergj Vyshka 24.01.2015 19:55
“Unë nuk mendoj se skuadra po e ndjen presionin e të qenit kryesues, apo në vendin e parë në renditjen e grupit të Veriut, – ka deklaruar trajneri i Tërbunit, Elvis Plori, pas ndeshjes miqësore me Dinamon, që u mbyll në barazim 1-1. – Përkundrazi kemi punuar shumë fort në seancat stërvitore dhe si e tillë ka qenë ende e ngarkuar fizikisht. Që do të thotë se lojtarët janë ende të rënduar nga këmbët.”
“Përderisa kemi ruajtur grupin e futbollistëve që kemi pasur në pjesën e parë të sezonit ne nuk kemi pse të frikësohemi, – ka vijuar shkodrani i stolit pukjan. – Ka ikur vetëm Agastra për arsye familjare, të tjerët janë po ato që kanë qenë deri në dhjetor. Na duhen dhe dy ndeshje miqësore që skuadra të konsolidohet. Për portierin Giljan mund të them se ka përvojën e duhur për të qenë mes dy shtyllave të portës sonë.”
“Lojtarët që kanë ikur ka qenë të supozuar se mund të vinin tek Tërbuni, sepse ne nuk kishim marrë një vendim përfundimtar, – ka vijuar Plori. – Tashmë problemet që kemi pasur dhe që i kanë të gjitha klubet e futbollit shqiptar, ne i kemi kaluar. Dhe për rrjedhojë, e them me bindje përsëri se kjo skuadër do të jetë patjetër në Kategorinë Superiore.”
Në miqësoren mes Dinamos e Tërbunit ka qenë i pranishëm dhe donatori i skuadrës pukjane, që është njëkohësisht dhe deputeti i parlamentit shqiptar, Mark Frroku, që ka qëndruar deri në përfundim të pjesës së parë e më pas është larguar. Nuk ka munguar as trajneri i Kamzës, Ylber Zani, një njohje e vjetër për mjedisin pukjan. Por në të njëjtën kohë i pranishëm ka qenë edhe ish-trajneri i Partizanit, Hasan Lika.