AlbanianSport.com 24.01.2015 19:15
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit është rikthyer pas një muaji pushim me Kukësin që nuk lëshon vendin e parë. Ekipi i trajnerit Artim Shaqiri ka fituar të ashtuquajturi “Derbin e Veriut” me Vllazninë, me rezultatin 2-1. Pejiçi dhe Lushtaku me golat e tyre kanë bërë që goli i Kalasë për vendasit të mos ketë peshë.
Edhe Tirana e ka nisur me fitore fazën e tretë të kampionatit, pasi bardheblutë kanë mundur me rezultatin 2-0 Apoloninë në takimin e zhvilluar në Durrës, pasi stadiumet e kryeqytetit po rinkostruktohen. Golat janë shënuar nga i njëjti autor, Sulejmani Ndikuamana, nga një në secilën pjesë loje.
Një triumf në fund ka qenë për Flamurtarin. Pas dy disfatave në fund të vitit të kaluar ekipi vlonjat ka mundur Teutën me rezultatin 2-1. Goli i Shehajt në çastet e fundit i ka dhënë 3 pikët ekipit të Ernestino Ramela. Megjithatë ky gol u kundërshtua nga tifozët vlonjatë, të cilët në një mesazh në faqen e tyre e quajtën qesharak dhe të dhuruar.
I menjëherëshëm ka qenë reagimi i klubit. “Ne nuk jemi pjesë e asnjë loje, – ka deklaruar Ardi Behari, drejtori sportiv i KF “Flamurtari”. – Ne ftojmë këdo që të hetojë këtë ndeshje.” Të dielën do të luhen dy ndeshjet e tjera të vlefshme për javën e 19-të, Laçi-Partizani dhe Elbasani-Skënderbeu.
Sfida më interesante e së dielës do të jetë ajo mes Laçit dhe Partizanit. Të kuqtë janë dëshmuar si një skuadër që ka pretendime të qarta për titullin “kampion”. Ndërsa kampionia në fuqi, Skënderbeu, duket se do ta nisë me një ndeshje të lehtë vitin 2015 në Stadiumin e rinovuar “Elbasan Arena”.
Përballë korçarëve do të jetë ekipi i Elbasanit, i cili ndan fundin e renditjes me Apoloninë dhe ka vetëm 3 fitore në 18 javë kampionat.