Gjergj Vyshka 24.01.2015 15:15
Kamza Basket duket se është kthyer në makth për Vllazninë e Bledar Gjeçajt. Sidomos kur është fjala për Superkupën e Shqipërisë, të cilën ia ka marrë për të dytin vit radhazi. Dhe skuadra e Adem Muhametajt, pa ia hequr meritën lojtarëve të tjerë, ka fituar vetëm në saj të Erkand Karajit. 26 pikë të shënuar, 6 trepikësha, dhe i saktë në gjuajtjet për dy pikë dhe në vijën e gjuajtjeve të lira. Kaq kanë mjaftuar që Vllaznia të mos jetë fituese e Superkupës.
Pjesa e parë ka shkuar pikë në pikë, derisa Kamza Basket ka fituar 12-13. Ka një Vllaznia ndryshe në të dytën, teksa duke fituar 16-7, arrin që në pushim të kryesojë 28-20. Mirëpo në të tretën gjërat janë krejtësisht ndryshe. Kamza Basket përmbys dhe kryeson 42-43. Ka lojë nervash aq sa dy trajnerët Muhametaj e Gjeçaj kanë marrë nga një gabim teknik për protesta, sikurse ka ndodhur dhe me Fasllinë. Plotësojnë numrin e 5 gabimeve personale dhe lënë shpejt fushën e lojës Arra e Bekteshi, por dhe Ndreko.
E Kamza Basket, pavarësisht strategjisë së shkodranëve për të frenuar sulmin e skuadrës së Gjeçajt me gabime personale, nuk ndalet. Por në fund fiton 67-58 dhe bën të veten Superkupën. Për çudi Vllaznia ka qëndruar deri në momentin e dhënies së Kupës, por më pas nuk ka shkuar t’u japë dorën kundërshtarëve sikurse bëri Apolonia me Flamurtarin tek femrat. Por gjithsesi Flamurtari e Kamza Basket e kanë bërë të tyrin Superkupën e Shqipërisë.
Vllaznia – Kamza Basket 58-67
(12-13, 16-7, 14-23, 16-24)
Vllaznia: Arra (4), Bërdica (22), Ndoja (10), Bekteshi (10), Shaqiri (3) / Faslija (2), Llazani (5), Rakaj, Taraboshi, Huti (2). Trajner: B. Gjeçaj
Kamza Basket: Shestani (14), Ndreko (6), Muhametaj (4), Karaj (26), Daliu (10)/Birçaj (2), Gjoka (5), Hoxha. Trajner: A. Muhametaj
Gjyqtarë: G. Cici, E. Koçi (Tiranë), E. Hoxhaj (Vlorë)