AlbanianSport.com 24.01.2015 08:35
ASNN – Pas më shumë se 1 muaj pushim, sfida Tirana-Apolonia rikthen emocionet e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, e cila këtë vit, falë rivalitetit mes skuadrave, është bërë kampionati më i bukur i këtyre 20 viteve të fundit. Tirana, e përforcuar me 4 lojtarë në merkaton e janarit, ka një ndeshje të lehtë, të paktën në letër, pasi do të ndeshet me fierakët e vendit të fundit.
E shtuna do të rezervojë një tjetër ndeshje të rëndësishme, ajo mes Vllaznisë dhe Kukësit, e cila njihet ndryshe dhe si “Derbi i Veriut”. Shkodranët e mbyllën 2014-n me statistika pozitive, me 5 fitore dhe vetëm 1 humbje në 6 ndeshjet e fundit, ndërkohë që kuksianët e trajnerit shqiptar nga Maqedonia, Artim Shaqirit, e mbyllën si “kampionë të dimrit”.
Në të njëjtin orar me derbin verior, pra në orën 17:00, do të jetë dhe sfida mes Flamurtarit dhe Teutës, dy skuadra që do të kërkojnë ta nisin me këmbë të mbarë vitin 2015 dhe t’i largohen “zonës së ftohtë” të renditjes. Kjo ndeshje do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjeti e Radio-Televizionit Shqiptar. Sfida më interesante e së dielës do të jetë ajo mes Laçit dhe Partizanit.
Të kuqtë janë dëshmuar si një skuadër që ka pretendime të qarta për titullin “kampion”. Ndërsa kampionia në fuqi, Skënderbeu, duket se do ta nisë me një ndeshje të lehtë vitin 2015 në Stadiumin e rinovuar “Elbasan Arena”. Përballë korçarëve do të jetë ekipi i Elbasanit, i cili ndan fundin e renditjes me Apoloninë dhe ka vetëm 3 fitore në 18 javë kampionat.