Nga Gjergj Vyshka 24.01.2015 07:15
Superkupa e basketbollit kthehet në festë, por dhe në debate për gjykimin e finaleve. Për vlonjatet e Viron Toskës është kërkuar koha shtesë, Karaj merr përsëri kamzalinjtë. Flamurtari dhe Kamza Basket janë fituesit e Superkupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj dhe femra, ndërsa finalet e luajtura dje në mbrëmje në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” jo vetëm që kanë qenë të forta dhe më pas të kthyer në festë për skuadrat fituese, por kanë ndezur debatet nga humbësit ndaj gjykimit të ndeshjeve.
Ndonëse për finalet ishin zgjedhur gjyqtarët më të mirë të basketbollit shqiptar, si dhe ato që janë ndërkombëtar. Në finalen e femrave është dashur koha shtesë, kurse tek meshkujt ka spikatur Erkand Karaj, i cili me trepikëshat e tij, është bërë vendimtar për Kamza Basket, që kështu e ka fituar për herë të tretë radhazi Superkupën e Shqipërisë. Nuk kanë munguar në këto finale jo vetëm figurat më të ndritura të basketbollit shqiptar të tilla si Viktor Papavangjeli, Vaso Shaka, Spiro Kuvarati, por dhe krerët e koshit shqiptar.
E kjo që nga presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, sekretari i përgjithshëm Korab Llazani, si dhe anëtari i kryesisë së koshit shqiptar, Bashkim Milo. Jo vetëm kaq, por kanë qenë të pranishëm Kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo, dhe ai i Kamzës, Xhelal Mziu. Si dhe kryetari i Kontrollit të Lartë të shtetit, Bujar Leskaj. Pra dy finale Superkupe që kanë mbledhur kaq shumë VIP-a, tifozë, gazetarë e kamera.
Duke folur pas dy finaleve, Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, është shprehur shumë i kënaqur me atë që ka parë. “Kemi pasur dy ndeshje me shumë nivel të basketbollit shqiptar, – ka thënë kreu i organizmit që qeveris koshin shqiptar. – Qoftë për femra, ashtu dhe për meshkuj skuadrat kanë qenë të denja për njëra-tjetrën. Unë i uroj suksese në vazhdim të gjitha skuadrave, kurse mendoj se kështu niveli i basketbolli po vjen në rritje.”