AlbanianSport.com 23.01.2015 18:25
Pas Skënderbeut, hijet e dyshimit për trukim të ndeshjeve të futbollit bien edhe mbi një tjetër skuadër shqiptare, Laçin. Është pikërisht E përditshmja e mirënjohur dhe më e madhe gjermane “Bild” bën të ditur se sfida miqësore e luajtur në Lagos të Portugalisë mes skuadrës shqiptare dhe Shtutgartit është trukuar nga mafia e basteve.
Gazeta citon drejtuesin e Ligës Gjermane të Futbollit, Andreas Retig, sipas të cilit ka pasur lëvizje të dyshimta të koeficientëve të basteve për këtë ndeshje. Sipas tij, janë vëzhguar kompanitë e basteve ku kuotohej shumë fitorja me thellë e Shtutgartit. Në fakt miqësorja përfundoi me rezultatin 5-0 në favor të skuadrës gjermane.
Duke analizuar këtë ndeshje, “Bild” ve në dukje se Laçi po luante mirë, përpara se në 30 minutat e fundit skuadra shqiptare u shthur në mbrojtjen e saj duke pësuar tre gola. Por gazeta gjermane kërkon të sqarojë se Shtutgarti dhe futbollistët e tij nuk kanë të bëjnë me dyshimet për trukimin e ndeshjes, duke spostuar akuzat te skuadra shqiptare.
“Nuk ka asnjë dyshim ndaj Shtutgartit. Në të kundërt ne mendojmë se kjo skuadër është viktimë e një ndeshjeje miqësore të luajtur në kushte të parregullta të konkurencës”, – citohet të ketë thënë drejtuesi i Ligës Gjermane të Futbollit. Ky është rasti i dytë ku hidhen dyshime për trukim në ndeshjet miqësore të skuadrave shqiptare.
Pak ditë më parë u përfol edhe për ndeshjen mes Skënderbeut dhe Den Hag të luajtur në Marbeja të Spanjës, por klubi korçar hodhi poshtë akuzat. Tashmë tabloidi gjerman “Bild” hedh dyshime se rezultati i ndeshjes miqësore luajtur në Portugali mes skuadrës gjermane Shtutgartit dhe Laçit mund të jetë trukuar. Takimi përfundoi 5-0 për gjermanët.
Dyshimet janë ngritur pasi janë vëzhguar koeficientët për këtë rezultat dhe sasia e parave dhe basteve që janë vënë mbi të. “Bild” dyshon se e gjithë kjo mund të jetë vepër e mafies së basteve të futbollit duke nënkuptuar se futbollistët shqiptarë mund të jenë përfshirë në manipulim.
Ndërkaq, një zëdhënës nga klubi i Shtutgartit ka reaguar duke thënë se ekipi gjerman nuk ka asnjë lidhje me këto akuza. Media gjermane shkruan se lojtarët e ekipit shqiptar të Laçit në 30 minutat e fundit braktisën pozitat mbrojtëse duke e lejuar kundërshtarin të shënonte lehtësisht.