AlbanianSport.com 23.01.2015 13:45
ASNN – Kapiteni i Partizanit, Nderim Nexhipi, nuk e ka fshehur optimizmin e të kuqve të kryeqytetit, që janë gati për sulmin e fundit në garën për titullin “kampion” në Kategorinë Superiore. Dorian Bylykbashi dhe Gëzim Krasniqi ishin afrimet e vetme të Partizanit, por për mesfushorin shqiptar nga Maqedonia mjaftojnë për të forcuar skuadrën në pjesën tjetër të sezonit.
“Kemi zhvilluar një fazë përgatitore intensive me kushte optimale, – ka deklaruar ai gjatë konferencës së djeshme për shtyp. – Ekipi është në gjendje mjaft të mirë në prag të fillimit të kampionatit. Afrimet në ekip i dy lojtarëve si Krasniqi dhe Bylykbashi të cilët njihen mirë nga opinion sportiv, them që do jenë mbështetje për ne dhe ndihmesë mjaft e madhe për ekipin.”
Partizani mbylli dy fazat e para në vendin e tretë të renditjes me vetëm dy pikë më pak se kryesuesit e Kukësit. Pushimet nuk e kanë zbehur aspak dëshirën e të kuqve për titullin. Madje, sipas kapitenit Nexhipi, Kukësi nuk e ka forcën e duhur për të përballuar vendin e parë edhe pse është një ekip i mirë dhe si rivalë seriozë për titull sheh Skënderbeun dhe Tiranën.
Për të qëndruar në garën për titull, Partizani duhet të kalojë në fillim vizitën e vështirë të së dielës në fushën e Laçit. Por Nexhipi ka besim të plotë te skuadra dhe shpreson se gjithçka do të nisë pozitivisht në sfidën e parë të 2015-tës. “Në Laç na pret një ndeshje e vështirë, por nëse duam të realizojmë objektivat tona për kreun e renditjes duhet patjetër rezultat pozitiv”, – ka deklaruar ai.
“Përqendrimi për këtë ndeshje nga ne është maksimal dhe shpresojmë të marrim maksimumin në këtë sfidë, – ka vijuar kapiteni i Partizanit. – Fitoret me rivalët direkt për titull sigurisht janë shumë të rëndësishme por kurrsesi nuk duhet lënë pikë edhe ndaj ekipeve te tjera duke parë që kampionati është i gjatë dhe çdo ndeshje duhet vlerësuar maksimalisht.”
“Gjatë fazës përgatitore kemi shënuar mjaft gola dhe shpresoj që edhe në kampionat të vazhdojmë këtë ecuri pozitive”, – ka përfunduar Nexhipi. Ndërkaq, Partizani vijon përgatitjet e fundit në prag të rinisjes së Kategorisë Superiore. Për momentin, nuk ka asnjë problem në organikë për trajnerin Shpëtim Duro, që do të ketë në dispozicion të gjithë futbollistët për ndeshjen e radhës.